Kosova, një vend i vogël, por me histori të madhe. Rruga e historisë nuk gjendet pa e kërkuar atë, kurse kjo rrugë bëhet e ndritshme kur sukseset janë pjesë e saj, nuk është e lehtë, por bëhet e tillë kur qëllimi është më i fortë se sfida dhe kur guximi dominon frikën.
Guximi është në natyrën e atyre që duan krenarinë në sport, kurse lavdia e një populli të tërë është motiv dhe inspirim për ta. Kosova është e bekuar me historinë e saj në sportin e xhudos, shkruan GazetaBlic Sport.
Një vend i vogël, me pak të ardhura, me shumë probleme e me shumë sfida në të gjitha fushat, sot mbretëron botën me sukseset e saj në këtë sport “mjeshtëror”.
Njëmbëdhjetë vjet pasi fitoi pavarësinë nga Serbia dhe në Olimpiadën e saj të parë verore, suksesi i Kelmendit në Rio në vitin 2016 i mundësoi Kosovës të fitojë medaljen e parë olimpike, medalje kjo që shënonte njëri ndër hapat më të mëdhenjë historik.
Një grup prej disa personave kishin punuar ndër vite në kushte shumë të vështira, por me shumë motiv e vetëbesim për suksesin e madh që një ditë do të vinte.
Ishin vëllezërit Kuka, Driton e Agron Kuka, që kishin shkrirë edhe mjetet e tyre në këtë drejtim, madje ata kishin refuzuar edhe oferta milionëshe nga shtetet të ndryshme vetëm e vetëm për ta përfaqësuar krenarinë e vendit, krenarinë e Kosovës.
Të gjithë e kishin të qartë që suksesi i madh i xhudos nuk ishte i përkohshëm dhe se pritshmëritë natyrisht se do të rriten nga dita në ditë. Tokyo 2020, ky emër i madh që do të mbetet përherë në mendjen dhe zemrat e “Daradanëve”.

Lojërat Olimpike të zhvilluara në këtë vend e prekën qiellin e krenarisë për shqiptarët, me xhudon që ngjiti edhe njëherë emrin e vendit në piedestalet më të larta.
Dy medalje të tjera të arta olimpike mund të dukeshin të pabesueshme për t’u arritur nga njerëzit që nuk kishin lidhje e punë të përditshme me skuadrën tonë të xhudos, por jo edhe për ata që e dinin punën, përshkutimin dhe sakrificën e tyre.
Një vit i mbushur me plotë sfida e probleme të sferave të ndryshme na dhuroi një verë fantastike. Driton Kuka me xhudistët tanë e kthyen vëmendjën e botës në drejtim të shtetit më të ri në Evropë, Kosovës.
Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, dy emra të artë nga dy vajza me mentalitet fituesi. Dy medalje të arta olimpike lartësuan emrin dhe flamurin e vendit tonë.

Xhudistet Nora Gjakova në kategorinë 57 kilogramë dhe Distria Krasniqi në kategorinë 48 kilogramë fituan medalje ari në Olimpiadën e Tokios, të “udhëhequra” nga trajneri Kuka e “Luanesha” Kelmendi.
Distria Krasniqi e nisi me fitore garën në kategorinë e saj. Në kuadër të raundit të dytë, Distria e mposhti brazilianen, Gabriela Chibana. Ndaj saj fitoi me hedhje te bukur, për Ippon.
Në çerekfinale ajo e mposhti Chen-Hao Lin. Meçi çerekfinal i kategorisë deri 48 kilogramë u vendos fare shpejtë, për 19 sekonda.
Në gjysmëfinale e mposhti xhudisten Urantsetseg Munkhbat nga Mongolia. Ndaj saj fitoi me “Waza-Ari” të cilin e realizoi në mes të lufës.
Kurse në finale triumfoi ndaj japonezës Funa Tonaki.
Xhudistja Nora Gjakova e cila fitoi medaljen e artë në deri 57 kilogramë dhe u bë medalistja e dytë e artë nga Kosova pas Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Deri te finalja Nora Gjakova i kishte tri fitore. Ajo e nisi me fitore ndaj Sanne Verhagen të Holandës dhe vazhdoi me fitore ndaj sllovenes Kaja Kajzer. Në gjysmëfinale arriti fitoren ndaj japonezes Tsukasa Yoshida.
Nora në finale e mposhti francezen Sarah Leonie Cysique, pasi ajo u dënua me karton të kuq.
Majlinda Kelmendi, ajo që shkruajti historinë e vendit tonë në sport u eliminua herët.
Ajo në “Tokyo 2020” u mund qysh në raundin e parë nga xhudistja hungareze, Reka Pupp në kategorinë deri në 52 kilogramë. Një waz-ari i marrë në shënim të artë, bëri që Kelmendit t’i ndalet synimi për të fituar një tjetër medalje olimpike.
Krenaria e madhe e Kosovës më pas vendosi të pensionohej komplet nga xhudoja, atje ku me nje ceremoni të lartë institucionale u nderua për krijimtarinë e saj të jashtëzakonshme, atje ku bëri që edhe shtetet që nuk e njihnin të “përkulen” para flamurit të vendit tonë.
Kelmendi u largua me një krenari të madhe mbi supet e saj, kjo për faktin se ka fituar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.


Nuk mund të kishte mbyllje me fantastike të vitit se sa që ata që e nderuan vendin e tyre të nderoheshin nga institucionet më të larta ndërkombëtare. Trajneri legjendar, Driton Kuka dhe xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, fituan çmimet e më të mirëve në botë.
Trajneri Kuka u shpallë trajneri më i mirë në botë dhe ky pa asnjë dyshim ishte një rezultat fantastik për të dhe për vendin tonë. Një rezultat ky që e shpërbleu punën e tij të madhe gjatë tri dekadave, kurse në të njëjtën kohë i dha jehonë të madhe profesionalizmit të tij në botë.

Në anën tjetër, e arta e Kosovës, Distria Krasniqi ishte e pakonkurrencë në garën e saj dhe me plotë meritë e mori edhe epitetin e më të mirës në botë. Ishin të shumta mediat e ndryshme nga e gjithë bota që shkruajtën në lidhje me këtë sukses të jashtëzakonshëm, kurse njerëzit në Kosovë kishin vetëm një gjë, të shijonin krenarinë e madhe që ky ekip i jashtëzakonshëm u’a dha.

/GazetaBlic Sport/


