Lajme

Këto janë masat që do të jenë në fuqi sonte në natën e ndërrimit të viteve

12/31/2021 08:21
nga:Y I

Kosovarët do ta presin Vitin e Ri, nën masat kufizuese kundër COVID-19.

Pas ndërrimit të motmoteve, ata do të duhet të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, për shkak të kufizimit të lirisë së lëvizjes.

Se nuk do të ketë lehtësim të masave anti-COVID më 31 dhjetor dhe 1 janar, e kanë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk pritet të ketë ndryshim të masave që janë në fuqi. Ato duhet të respektohen. Përderisa nuk ka ndonjë vendim që i ndryshon masat në fuqi, vlejnë ato që janë ndërmarrë më parë”, kanë deklaruar nga MSh-ja për Express.

MSh-ja gjatë ditëve të fundit ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes të shtuar gjatë festave të fundvitit.

Përmes postimeve në llogarinë e MSh-së në Facebook, apelohet që qytetarët t’i planifikojnë më herë blerjet për festa, për të shmangur grumbullimet e panevojshme.

Sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës.

Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika duhet të ndalet në orën 21:30.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, apo certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

Ndërkaq nga data 3 janar e vitit 2020, për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës, do të vlejë vetëm certifikata e vaksinimit me dy doza të vaksinës.

MASAT E PLOTA