Lajme

Hulumtimi i IKS-it: 45% e biznesve nuk u kanë dhënë fare pushim të lehonisë të punësuarve

12/29/2021 19:12
nga:Gazeta Blic

Brikena Berisha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, ka theksuar se hulumtimi i realizuar nga IKS, ka nxjerrë në sipërfaqe faktin se shumë biznese nuk u kanë dhënë të punësuarve fare as pushim vjetor e as pushim të lehonisë.

“Pushimi i lehonisë është problemi kryesor, është një ndër problemet kryesore që bizneset e adresojnë që duhet për të ndërhyrë në Ligjin e Punës. Duke qenë se Ligji i Punës i obligon që për lehonat për 6 muaj, ata të paguajn 70% të pagës totale. 31% e biznesevee  pranojnë se nuk ju kanë dhënë punëtorëve as pushim vjetor, kjo do të thotë që 53% e pranojnë që nuk kanë dhënë pushim për gjidhënje, derisa 45% nuk ka dhënë fare pushim të lehonisë. Bizneset në këtë aspekt kanë filluar të jenë transparente që ketu del një problem tjetër në shoqëri, ku punëtorëve nuk po ju mbrohet ajo se çfarë po ju garantohet me Ligjin e Punës”, thotë Berisha.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka theksuar se ndër arsyet kryesore pse punëtorët nuk janë të kënaqur me punëdhënësin, është mungesa e kontratave.

“Një ndër arsyet pse punëtorët nuk janë të kënaqur me vendet e punës, është mungesa e kontratës, duke mos harruar pjesën e dispozitave që lidhet me pushimin e lehonisë të cilat nuk do duhej të ishin problem”, thotë ai.

Brikena Berisha nga IKS, konsideron edhe faktin që numri i inspektorëve është shumë i kufizuar.

“Problemi i parë, por edhe arsyetimi i parë i inspektoriatit është mungesa e inspektorëve, numri i vogël i tyre, mosha e shtyer e inspektorëve aktual, ku për shkak të gjendjes shëndetësore i kanë të limitura vizitat në teren. Pastaj, vijnë problemet tjera shtesë ku është një gamë e gjatë e bizneseve që nuk mbrrin të vizitohen, të inspektohen”, thotë Berisha.

E, nga Inspektorati i Rajonit të Mitrovicës thonë se kanë shumë pak inspektor.

Nexhat Fazliu, Kryeinspektor në rajonin e Mitrovicës thotë se i kanë gjithsejtë 8 inspektor.

“Ne i kemi gjithsej 6 inspektorë serb dhe dy shqiptar. 8 inspektor veprojnë në ato komuna. Kisha dashur të fokusohem tek numri i vogël i inspektorëve ku në komunat, Mitrovicë e Jugut, Vushtrri dhe Skenderaj pothuajse 90% të ankesave në lidhje me marrëdhënien e punës dhe sigurinë në punë janë në këto tri komuna të nacionaliteti shqiptar. Në këto komuna i kemi dy inspektorë dhe me këtë numër është e pamunduar ti trajtojmë vetëm ankesat dhe aksidentet në punë. Jam sulmuar për vdekje por sulmuesit sot janë të lirë dhe përsëri kemi kërcënime nga ta dhe shteti nuk vepron”, ka theksuar ai.