Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka realizuar një hulumtim në lidhje me sfidat që kanë bizneset kosovare me Ligjin e Punës. IKS këtë hulumtim e ka realizuar me mbi 400 punëdhënës, në komunat kryesore të Kosovës.
Brikena Berisha, nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka theksuar se në hulumtimin e realizuar është vërejtur se shumë biznese familjare nuk i lajmërojnë punëtorët dhe ky është problemi i parë i informalitetit.
“Bizneset e pranojnë që është shumë e komplikuar, sidomos bizneset e vogla, sepse nëse flitet për biznesin privat ne kemi gra të cilat merren me punime sezonale, punime të dorës e shumë të tjera dhe për atë është shumë e komplikuar. Janë biznese familjare dhe nuk është as opsioni për t’i lajmëruar punëtorët, dmth problemi i parë i informalitetit”, ka theksuar ajo.
Pastaj, shton ajo është një kategori e cila mendon se deklarimi i punëtorëve është vetëm shpenzim shtesë, sepse sipas këtyre bizneseve, shteti asnjëherë nuk u ndihmon dhe asnjëherë nuk ka qenë pranë tyre.
“Realisht në pandemi është krijuar njëfarë perceptimi që shteti u ka ndihmuar shumë bizneseve, por në teren, praktika po na tregon krejt diçka tjetër që janë ndihmuar disa biznese kryesore por masivisht bizneset e vogla, bizneset e mesme- ato të cilat kanë probleme për t’i lajmëruar punëtorët, nuk kanë përfituar fare”, ka theksuar ajo.
Berisha ka shpjeguar edhe të gjeturat e hulumtimit të realizuar nga IKS, ku sfidë kryesore është kohëzgjatja e kontratave.
“Pastaj, është problemi i marrëdhënies kontraktuale, i detyrimit- ku në momentin që lidhni një kontratë afatgjatë, bizneset kanë frikë sepse është pasiguria e të ardhmes: Si do të paguhen? Çfarë do të ndodh? Për këtë zgjedhet kontrata 6 mujore, sepse biznesi nuk ka siguri se çfarë do të ndodh 6 muajt e ardhshëm, andaj veprohet me mënyrat më të lehta të cilat realisht me një papunësi kaq të madhe edhe punëtorët po i pranojnë, shkak një vend i punës”, tha ajo.


