Lajme

Kryeministri Kurti: Procesi i dialogut në Bruksel nuk ka qenë i padobishëm, Serbia duhet të ndryshojë!

12/29/2021 12:36
nga:Y I

Kryeministri Albin Kurti tha se rritja ekonomike këtë vit është dyfishuar, duke shtuar se ka pasur zvogëlim të shpenzimeve qeveritare.

Ai në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë, sqaroi se buxheti ka 800 milionë euro bonus.

Kurti tha se janë rritur edhe investimet e huaja direkte për 53% krahasuar me vitin e kaluar.

“E arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dy shifrore që ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë, janë rritur të hyrat buxhetori dhe janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur për 30%, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 90% e madje 90% krahasuar me vitin 2019”.

“Investimet e huaja direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar për 53%, e 80% krahasuar me vitin 2019 sa i përket muajve të parë të vitit, ose tre çerekëve të parë siç bëhen matjet. Është interesante si në tremujorin e dytë kishim rritje ekonomike prej 16.3% ndërsa në tre mujorin e tretë 14.3%”.

Kurti tha se procesi i dialogut me Serbinë në Bruksel nuk ka qenë i padobishëm.

Ndërsa për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, Kurti tha se duhet të ndryshojë Serbia.

“Është e vërtetë që janë zhvilluar vetëm dy takime në vitin 2021 midis meje dhe presidentit të Serbisë, por nuk ka qenë i padobishëm procesi i bisedimeve në Bruksel. Atje kemi arritur një marrëveshje sa i përket reciprocitetit të targave”, tha Kurti.

“Tash për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia, ndërkaq se kur zhvillohen takimet në Bruksel megjithatë nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time. Besoj që vitin e ardhshëm do të ketë edhe ftesa përkatëse për dialog, i cili i kontribuon paqes së qëndrueshme, stabilitetit afatgjatë, sigurisë rajonale, dhe ku përfitues janë qytetarët, e jo politikanët”.

Kurti shtoi se në mbledhjen e Qeverisë kanë marrë 27 vendime dhe kanë miratuar 6 projektligje, duke shtuar se kanë arritur që të menaxhojnë pandeminë e të vaksinohet 60% e popullatës, raporton EO.

“Kemi miratuar Projektligjin për Qeverinë, për Subjekte politike, për Byronë shtetërore. Këtë vit po e përfundojmë për Byronë shtetërorë dhe projektligjin për ushqim. Dhamë mbështetjen për pagesat e orëve shtesë për zjarrfikës në vlerë mbi 500 mijë euro. E kemi emëruar zotëri Blerim Hasanin”.

“Kemi miratuar koncept dokumentin për tokë bujqësore për fushë të shpronësimit. Kemi dorëzuar draft planin për vitin 2022. Kemi 88 qëllime strategjike, 1 030 objektiva operacionale. Jemi duke transformuar mënyrën e planifikimit në performacë”.“Kemi menaxhuar pandeminë si është më së miri dhe kemi rritur 60% të vaksinimit të popullatës, janë rritur të hyrat buxhetore për 30%”, tha kryeministri Kurti.