Një tjetër vit po mbyllet në basketbollin e Kosovës.
Një vit ky i mbushur me plotë risi, garë, rivalitet e ndryshime në sfera të ndryshme të këtij sporti, shkruan GazetaBlic Sport.
Superliga e Kosovës ishte shumë e rivalizuar, me disa skuadra që përforcuan radhët e tyre, përforcime këto që ndikuan edhe në rritjen e kualitetit.
Një risi e madhe ishte paraqitja e skuadrave tona në Ligën Unike, edicionin e parë e të cilit e fitoi skuadra e Golden Eagle Yllit.
Golden Eagle e fitoi poashtu titullin kampion në Superligën e Kosovës, kurse Kupën e Kosovës arriti ta fitoi skuadra e Sigal Prishtinës.


Krijimi i Qendrës Nacionale për Zhvillimin e basketbollit është një projekt shumë i rëndësishëm që është ndërtuar gjatë këtij viti, brenda të cilit grumbullohen basketbollistët më të mirë të grupmoshave të reja.
Në një intervistë për GazetaBlic Sport, Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka treguar për punën e këtij institucioni gjatë këtij viti si dhe ka treguar për të arriturat e basketbollit tonë.
“Në parim ka qenë një vit i mirë për basketbollin e Kosovës, jam i kënaqur për sukseset në disa projekte që i kishim. Jam i kënaqur edhe për faktin se brenda një viti pandemik kemi arritur që t’i finalizojmë disa gjëra shumë të rëndësishme. Fillimisht jam i lumtur për sukseset në Ligën Unike, kurse projekti i dytë ose më i rëndësishëm ndoshta për FBK-në është ai i Qendrës Nacionale për Zhvillimin e basketbollit, është një projekt ku grumbullohen basketbollistët më të mirë të grupmoshave të reja, një vend ku punohet për sukseset e se ardhmes. Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm dhe tepër me rëndësi është edhe ai që kemi pasur një vit me rritje financiare, fakt ky që tregon që kemi rritje të sponzorëve. Planifikimet tona janë të ndërtuara që në vitin 2022 të kemi edhe një rritje tjetër më të madhe në këtë drejtim. Besoj që të gjitha këto janë një pasqyrim i qartë se kemi pasur një vit të mirë“, tha fillimisht Fetahu.

Në anën tjetër, ai foli edhe për përfaqësuesen e basketbollit, ku tha se nuk është edhe shumë i kënaqur me këto arritje, por që po punohet në vazhdimësi për përmirësim të rezultateve. Fetahu përmendi arritjen e përfaqësueses së femrave, atje ku arritën të marrin vendin e tretë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.
“Në lidhje me përfaqësuesen e meshkujve mund të them se nuk jam shumë i kënaqur me rezultatetet që i kemi arritur, por jam i kënaqur me rezultatet e arritura nga të gjitha grupet e tjera që na kanë përfaqësuar. Përfaqësuesja e femrave e ka zënë vendin e tretë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, gjë që besoj që është një rezultat i mirë për faktin se ishte hera e parë që po marrin pjesë. Poashtu tek grupmoshat e reja kemi arritur t’i fitojmë dy nga katër garat në të cilat kemi marrë pjesë. Ne jemi shumë optimistë që vitin e ardhshëm do të kemi përfaqësim edhe më të mirë të grupmoshave të reja vitin e ardhshëm, kurse sa i përket kombëtares A, do të tentojmë të jemi edhe më mirë në ndeshjen që do ta luajmë ndaj Norvegjisë në Prishtinë dhe më pas do ta kërkojmë kualifikimin tutje në Danimarkë”, përfundoi Fetahu për GazetaBlic Sport.

/GazetaBlic Sport/


