Lajme

Kurti u bën thirrje mërgimtarëve që të vaksinohen: Le t’i respektojmë masat në përpikmëri

12/28/2021 20:01
nga:M K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një video-mesazh për mërgimtarët që këto ditë po vijnë me të madhe në vendlindje.

Kurti në këtë adresim u është arsyetuar atyre se shkaku i paraqitjes së varianteve të reja të COVID-19, do të duhen të kufizohen në aktivitete dhe organizime.

“Edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet dhe grumbullimet. Si kryeministër, nuk kam detyrë më parësore sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë. Dhe e kam detyrë jo vetëm ndaj atyre që janë banorë të Kosovës, por edhe ndaj juve që po na vini nga larg”, tha Kurti.

Tutje, kryeministri u bëri thirrje mërgimtarëve që nëse nuk janë vaksinuar ende, këtë ta bëjnë kur të hyjnë në Kosovë.

“Nëse rastësisht nuk jeni vaksinuar atje, natyrisht se mund ta bëni këtë me rastin e hyrjes në Kosovë. Dhe të gjithë së bashku, të respektojmë në përpikmëri masat anti-COVID”, ka thënë Kurti.