Lajme

Rriten rastet me Omicron, Evropa shton masat anti Covid

12/28/2021 10:35
nga:Y I

Rastet e reja me Covid-19 po rriten në të gjithë Evropën për shkak të përhapjes së variantit Omicron. Ky mutacion është më pak agresiv se Delta, por më i transmetueshëm.

Franca njoftoi masa të reja që do të hyjnë në fuqi nga 3 janari. Puna në distancë do të bëhet e detyrueshme për ata që munden dhe tubimet publike do të kufizohen në 2000 persona.

Ky lajm vjen pasi Franca regjistroi më shumë se 100.000 infeksione të reja të shtunën, numri më i lartë i raportuar në vend që nga fillimi i pandemisë. Klubet e natës do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë.

Kufizime shtesë u njoftuan në Gjermani dhe Greqi, ndërsa qeveritë kërkojnë të frenojnë valën e rasteve pozitive. Tubimet në Gjermani janë kufizuar ndërsa palestrat, pishinat, klubet e natës dhe kinematë do të jenë të mbyllura. Nga 3 janari, qeveria greke do të kërkojë që baret dhe restorantet të mbyllen në mesnatë dhe tavolinat të mos kenë më shumë se 6 klientë.

Nga ana tjetër Mbretëria e Bashkuar nuk njoftoi masa shtesë para Vitit të Ri. Megjithatë Ministri i Shëndetësisë Sajid Javid tha se njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm.

Ndërkohë në Shqipëri masat do të vijojnë të jenë të njëjta, ndërsa i vetmi lëshim është heqja e orës policore në natën e ndërrimit të viteve./dritare.net/

Policia me aksion në Gjakovë, arrestohen 26 persona