Lajme

Kurti: LVV-ja mbetet e vogël në nivel lokal, krimi i organizuar ka zbarkuar nëpër komuna

12/26/2021 12:10
nga:Gazeta Blic

Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar punët e Qeverisë, të cilat ai i quan të mëdha, përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku është edhe kryetar.

Në mbledhjen e sotme të partisë, Kurti tha se me qeverinë e tij, “imazhi i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, asnjëherë nuk është ngritur sikurse sivjet”, ndërsa te çështjet ‘e papërmirësueshme’, Kurti ka theksuar krimin e organizuar, që sipas tij, “ka zbarkuar në nivel lokal”, duke folur për dështimin në zgjedhjet lokale, ku LVV-ja arriti të fitonte në vetëm 4 komuna.

“Në vitin që vjen, do të punojmë në zhvillimin e ekonomisë që do të hapë vende të reja të punës, dhe në zhvillimin e drejtësisë që lufton krimin e korrupsionin dhe sjell sundimin e ligjit”, tha kryeministri.

Kreu i Qeverisë tha se partia të cilën e udhëheq është organizatë relativisht e vogël në rrafshin lokal, duke marrë shkas nga rezultati zhgënjyes nga zgjedhjet e fundit.

“Gjatë diskutimit tonë me siguri se do të mund t’i shqyrtojmë shumë gjëra që lidhen me mësimet e nxjerra nga zgjedhjet lokale, e ku natyrisht që do të kisha theksuar që në raport me mbështetjen elektorale të fillimvitit, organizata jonë ngelet relativisht e vogël, me struktura pak të shtrira në terren dhe me jo mjaftueshëm detyra të hollësishme të ndara për rrjetin e aktivistëve tanë”, tha Kurti.

Përveç organizimit të dobët, Kurti e gjeti edhe krimin e organizuar fajëtor që LVV-ja nuk arriti ta merrte rezultatin e synuar në zgjedhjet lokale. Sipas tij, krimi i organizuar ka zbarkuar në nivel lokal.

“Na duhet ndihma e të gjithëve për çkapjen përfundimtare të shtetit, sepse edhe zgjedhjet lokale kanë treguar që një pjesë e konsiderueshme e krimit të organizuar nga niveli qendror, ku s’kanë vend sikurse dikur, kanë zbarkuar në atë lokal, dhe duhet të pamundësohet kapja e komuniteteve nga fondet, mjetet, kapitali i zhvatur, i ekstraktuar në këto dy dekata, i cili fatkeqësisht edhe më tej vazhdon t’i ketë pronarët e njëjtë, pa iu kthyer shtetit”, tha ai.

Në detyrat e përshkruara përgjithësisht për aktivistët e partisë në fillim të mbledhjes, Kurti tha se në pjesën e parë të vitit duhet të fokusohen në zgjedhjet e brendshme, ndërsa theksoi “organizimin e mërgatës”, si detyrën më kryesore partiake për pjesën e dytë të vitit 2022.

“Pjesa e parë e vitit që vjen, fokusin tonë duhet ta kemi në zgjedhjet e brendshme dhe dy rregullore shtesë që na nevojiten. Zgjedhjet e brendshme të përgjithshme të bëhen aktiviteti kryesor i vitit 2022… Pjesa e dytë e vitit, nevojitet organizim më i mirë i mërgatës, me rregullore të posaçme për ta”, tha ndër tjerash, kryetari i LVV-së.