Lajme

Dogana e Policia me aksion anti-kontrabandë në veri

12/25/2021 14:17
nga:M K

Dogana e Kosovës ka njoftuar se oficerët doganorë, të asistuar nga Policia e Kosovës, të shtunën në orët e para të mëngjesit kanë realizuar kontrolle në tri lokacione në Veri të vendit.

“Ky operacion ka filluar në orët e para të mëngjesit ku qëllimi ishte të kontrollohen bizneset të cilat operojnë në rajonin e Zubin Potokut, respektivisht dy lokacione në fshatin Zupce dhe një tjetër në fshatin Uglar. Operacioni ka pasur qëllim kontrollin e bizneseve për shmangie të tatimit si dhe veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave. Operacioni ka rrjedhur pa asnjë incident”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovë ka njoftuar se në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095. Dogana e Kosovës rishtazi ka lansuar aplikacionin eDogana për pajisjet e menqura android, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurtë dhe gjithashtu ofron mundësi për verifikim të kilometrave të automjeteve të importuara nga muaji Shtator”, përfundon njoftimi.