Lajme

Haxhiu: Qytetarët në dilemë se a janë me grip sezonal apo me variantin Omicron

12/24/2021 11:05
nga:Y I

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka shprehur shqetësimin për ngjashmërinë e simptomave të gripit sezonal me ato të variantit Omicron të virusit Covid-19.

Haxhiu tha sot në seancën e Kuvendit të Kosovës se pritet që ditëve në vijim të ketë rritje të rasteve me këtë virus.

“Situata me pandeminë Covid-19 në muajin e fundit në vendin tonë ka qenë me tendencë të rritjes por ishte e qetë. Mirëpo, rreziku për përkeqësim të situatës i paralajmëruar nga ekspertët shëndetësor rezulton të jetë prezent në ditët në vijim dhe kjo po shihet nga shtimi i numrit të rasteve”, tha ai.

Haxhiu ka përmendur edhe numrin e lartë të qytetarëve të prekur me gripin sezonal.

Ai tha se situata me grip sezonal në spitale dhe në QKMF është alarmante.

“Situatë më e rëndë në muajin e fundit ka qenë me gripin sezonal dhe ka kohë që sistemi ynë shëndetësor ka kaluar vetëm në kujdes për Covid-19 dhe janë anashkaluar sëmundjet e tjera, përjashtimisht rasteve urgjente. Për shkak të neglizhencës, mosvaksinimit dhe të keqmenaxhimit situata me gripin sezonal në spitalet tona dhe në QKMF është alarmante”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së konfirmoi se nga të dhënat e IKSHPK-së, nga 6 deri më 12 dhjetor janë shënuar mbi 6 mijë raste të qytetarëve që janë prekur me grip sezonal.

“Sipas IKSHKP-së vetëm nga 6 dhjetori deri me 12 dhjetor janë shënuar mbi 6 mijë raste të gripit sezonal. Numri i rasteve me grip sezonal kalon 20 mijë raste. Simptomat e gripit sezonal dhe të variantit Omicron janë me simptomatologji të njëjtë. Pra, lodhje, dhimbje koke, dhimbje fyti, gërvishtje fyti. Dilemat e shumë qytetarëve sot që përballen me këto simptoma janë se a janë të prekur me grip sezonal apo të infektuar me variantin Omicron”, ka deklaruar Haxhiu.