Lidhja Demokratike e Kosovës sot shënon 32 vjetorin e themelimit të saj.
Që nga themelimi i saj në vitin 1989 e deri më 2006 udhëheqës i kësaj partie ishte ish-presidenti Ibrahim Rugova.
Kurse që nga viti, 2010 timonin e kësaj partie e merr tashmë ish-kryetari i saj, Isa Mustafa, i cili udhëhoqi me këtë parti deri në mars të këtij viti.
Por, si e sheh sot Mustafa, Lidhjen Demokratike, partinë të cilin e udhëhoqi më shumë se dhjetë vite.
Në një prononcim për FrontOnline, Mustafa ka thënë se kjo parti dallon nga të tjerat për shkak se të menduarit të saj politik është një mënyrë e veçantë.
“LDK është një mënyrë e veçantë e të menduarit politik. Stabile, e peshueshme, e përgjegjshme. LDK-në e mbanë anëtarësia, veprimtarët, tradita. Është konservatore, në pikëpamje të kultivimit të traditave, të respektit mbi familjen, besimin në zot; përkushtimin për shtetin”, ka thënë Mustafa.
Mustafa thumbon të larguarit nga LDK-ja
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në 32 vjetorin e themelimit të LDK-së, ka thumbuar ish- të larguarit nga partia e të cilët kanë formuar “Listën Guxo”.
Për ta ka thënë se janë marrë nga disa zhurmaxhinjë duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje.
“Frymët revolucionare mund të paraqiten si viruse të kalueshme në LDK por nuk zgjasin. I marrin me vete disa zhurmaxhinjë dhe i qojnë atje ku e kanë vendin, në parti të majta”, ka deklaruar Mustafa.
Mustafa tregon se a është LDK-ja si në kohën kur udhëhiqej nga Ibrahim Rugova
Për ish-kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, pyetja se a është Lidhja Demokratike e Kosovës si në kohën e Ibrahim Rugovës është delikate.
Ndërsa, thotë se pjesa dërmuese e anëtarësisë ndjekin dhe përqafojnë mendësinë që e ka kultivuar ish-presidenti Ibrahim Rugova.
“A është si në kohën e Rugovës apo jo, është pyetje delikate. Pjesa dërmuese e anëtarësisë janë aty në LDK, sepse e ndjekin dhe e përqafojnë mendësinë që e ka kultivuar Rugova”, është shprehur Mustafa.
Sipas tij, LDK-ja mund ta luaj rolin vetëm si parti konservatore.
“Veprimi pragmatik politik përshtatet karshi ecurive të reja, që nuk janë të njëjta me kohën e Rugovës. Por, jam i bindur se LDK mund të luaj rolin vetëm si parti konservatore. Ajo është e veçantë në Kosovë”, ka thënë ai.
Më 14 mars të këtij viti timonin e LDK-së e mori Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku kishte marrë 191 të votave të 328 delegatëve të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.