Lajme

Krasniqi ngre ‘alarmin’ pas reduktimeve të energjisë: Bizneset në gjendje të vështirë, qeveria të marrë urgjent masa!

12/23/2021 17:05
nga:Y I

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka ‘alarmuar’ në lidhje me gjendjen aktuale në të cilën ndodhen bizneset pas fillimeve të reduktimeve të energjisë elektrike.

Krasniqi tha se Qeveria me urgjencë duhet ta shohë këtë problem dhe t’i dalë në ndihmë biznesit që të kemi rrymë 24 orë.

“Këto reduktime janë shumë të dëmshme për bizneset edhe për qytetarët. Ne jemi në terren duke i vizituar bizneset dhe sot kemi ardhë në rajonin e Ferizajt, Vitisë dhe Gjilanit dhe po shohim probleme të mëdha tek bizneset. Po shohim një problem të madh, linja trefazore nuk është duke funksionu që 24 orë në Viti. Krejt bizneset po i dëmton dhe e bën të pafunskionueshme rrymën sepse bizneset kanë nevojë për rrymë trefazore. Mungesa e një linje nënkupton që detyrohen të punojnë me agregat 24 orë, nuk kemi reduktime dy orë por kemi reduktime 24 orë për bizneset që e bën shumë të dëmshme dhe gati të pamundur që biznesi me hy në kapacitete të plota prodhuese, duke e patur parasysh se këtë vit kemi patur rritje të prodhimit vendor dhe rritje eksportit.Qeveria e Kosovës do të duhej me urgjencë ta shohë këtë problem, t’i dalë në ndihmë biznesit, të subvencionojë energjinë elektrike siç e  kanë bërë shumica e vendeve dhe të kemi rrymë 24 orë për nevojat tona”

Ai tutje theksoi se nga rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe reduktimet do të dëmtohet shumë prodhimi vendor.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike edhe reduktimet do të dëmtojnë shumë prodhimin vendor dhe do t’i dëmtojnë edhe punëtorët. Qeveria duhet me urgjencë të ndajë buxhet në përkrahje të bizneseve pra të subvencionojë pjesën e rrymës shtesë për shkak të rritjes së çmimeve dhe reduktimet të ndalen sa ma shpejt sepse kjo e dëmton biznesin sidomos linjat prodhuese të cilat kanë kosto të mëdha kur bëhet ndërprerja” tha Krasniqi për “Gazeta Blic”

Skënder Krasniqi, Kryetar i OAK

Kosovarët ndryshe nga vitet e tjera, këtë dimër pritet ta kalojnë me shumë reduktime të energjisë elektrike.

Këto reduktime kanë filluar që ditën e djeshme në të gjithë territorin dhe pritet të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit dimëror.

Pas reduktimeve të energjisë ka patur një ‘lum’ reagimesh nga qytetarët por edhe nga spektri politik në Kosovë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në reagimin e tij në lidhje me këtë çështje përmend refuzimin e gazsjellësit amerikan nga Qeveria Kurti dhe thotë se qytetari i Kosovës nuk ia kishte borxh askujt terrin pas 20 vitesh.

Reagimin lidhur me këtë situatë ka patur edhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa përmes një postimi ironizues në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se nuk është ftohtë, pasi po ngrohemi me 51% të qytetarëve.

“Por… nuk është ftohtë, po nxehemi me votat e mbi 51 përqind të qytetarëve” shkruan Mustafa raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Haradinaj pas reduktimeve: Kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh?

Isa Mustafa ironizon me kryeministrin Kurti: Nuk është ftohtë, po nxehemi me votat e 51% të qytetarëve

Në këto komuna do të ketë nesër ndërprerje të rrymës