Lajme

Paralajmërojnë infektologët kosovarë: Varianti ‘Omicron’ mund të vijë në Kosovë para festave të fundvitit!

12/22/2021 18:42
nga:Y I

Situata në Evropë por edhe në botë po njeh përkeqësim pas shfaqjes së varintit të ri Omicron, raporton Gazeta Blic.

Disa nga vendet evropiane kanë rikthyer masat pas përkeqësimit të gjendjes dhe numrit të lartë të të infektuarve dhe atyre që po humbin jetën nga ky variant.

Megjithëse Evropa po përballet me një situatë të tillë, Kosova ende nuk ka regjistruar asnjë rast me variantin Omicron.

Por, kjo periudhë qetësie sipas infektologëve kosovarë, nuk pritet të zgjasë shumë gjatë.

Ata paralajmërojnë që para dhe gjatë festave të funditvitit të kemi shfaqjen e rasteve të para me Omicron edhe në vendin tonë.

Ish-drejtori i Klinikës Infektive, infektologu Izet Sadiku, tha se edhe Kosova nuk mund të jetë imune ndaj variantit të ri.

Sadiku theksoi se tashmë me lëvizjet për shkak të festave të fundvitit ekziston rreziku për shfaqjen e variantit të ri.

“Na smund të jemi imun ndaj variantit Omicron. Shumica e vendeve të rajonit kanë fillu me raportu rreth këtij varianti, psh Mali i Zi, dhe sigurisht për ne ekziston rreziku që tash me lëvizjet e mëdha të fundvitit të shfaqet edhe varianti Omicron’

Ai bëri edhe një herë thirrje për vaksinim dhe respektim të masave që gjendja me Covid në vendin tonë mos të përkeqësohet.

“Situata mund të jetë më e kontrolluar nëse njerëzit janë të vaksinuar mirëpo edhe ata që janë të vaksinuar ne e dimë që nuk janë plotësisht të mbrojtur prej infeksionit. Ditëve të fundit kemi rritje të numrit të rasteve me Covid-pozitiv në të gjitha vendet e Evropës, kemi një valë të re prej nga vijnë shumica e bashkëatdhetarëve tanë dhe kjo mund të jetë prej arsyeve që mund të kemi rritje të rasteve të Covid-19. Ne duhet të vazhdojmë të vaksinohemi dhe t’i respektojmë masat me qëllim që mos të kemi numër të madh të rasteve në mënyrë që të kemi një mbyllje tjetër” tha Sadiku për “Gazeta Blic”

Edhe infektologu Shemsedin Dreshaj, shprehet se mund të kemi ardhjen e variantit Omicron në Kosovë para festave të fundvitit.

“Po besoj që varianti Omicron do të vijë në vendin tonë para festave të fundvitit’ tha infektologu Dreshaj për “Gazeta Blic”.

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë kanë rezultuar pozitivë me Coronavirus 20 persona ndërkohë nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes.

Sot janë shëruar gjithashtu 12 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 157 mijë e 983 qytetarë.

Në total numri i rasteve aktive është 322.

Ndërsa gjatë intervalit kohor prej 24 orësh janë administruar 2 mijë e 74 vaksina anti Covid në Kosovë.

/Gazeta Blic/

20 raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit në Kosovë

2 mijë e 74 vaksina Anti-COVID administrohen në 24 orët e fundit në Kosovë