Nesër do të luhet derbi i dytë sezonal mes Tiranës dhe Partizanit. Një supersfidë e shumëpritur në kryeqytet, ku dy tifozëritë përkatëse nxitojnë të tregohen më superiore se tjetra në koreografi dhe aspekte të tjera. Fitorja në fushën e lojës është detyrim për futbollistët.
Jo më kot thuhet: më mirë të fitosh derbin se kampionatin. Kaq mjafton për të kuptuar antagonizmin maksimal mes bardhebluve dhe “demave të kuq”. Dueli i së enjtes, në kuadrin e javës së 15-të të Superiores, e gjen Tiranën në krye, me 30 pikë, ndërsa Partizanin të pestin me 18 pikë.
Megjithatë, për përplasje të tilla nuk ka rëndësi klasifikimi, madje as kategoria ku luan njëra apo tjetra skuadër. Parë në këtë këndvështrim, trajneri Orges Shehi është shfaqur me këmbë në tokë në prag të ndeshjes me të kuqtë:
“Kemi probleme me virozat, sidomos me Ismajlgecin dhe Taulant Seferin. Situata e Ismajlegecit është më serioze, do të presim deri në momentin e fundit. Mungesa e tij peshon shumë, për më tepër që Përgjoni është i dëmtuar.
Çdo ndeshje është e vështirë, dihet se derbi ka specifikë të veçantë, nuk merren parasysh pozicionet e skuadrave. Derbi nuk luhet, por fitohet. Fitorja në derbi ndryshon situatat, është një ndeshje që të gjithë e presin me padurim.
Jemi në një moment të mirë dhe shpresoj t’iu bëjmë një dhuratë tifozëve për festat e fundvitit. Në këtë mënyrë do të shkonim me moral të lartë në pushime. Futbolli është provim javë pas jave. Nesër, kemi provimin e derbit, ndeshje që duhet ta fitojmë për shumë arsye, për pozicionin që kemi dhe traditën. Çdo futbollist duhet të japë më shumë se maksimumin e tij.
Derbi është ndeshje që vendoset edhe nga episodet. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar. Fitorja duhet të vijë me lojë, duhet të prodhojmë për të marrë rezultat. Për trajnerët është e lehtë në kësi ndeshjesh, sepse lojtarët karikohen vetë. Sigurisht, mundohemi që të mos na rrëmbejë emocioni. Duhet të jemi të përqendruar në fushën e blertë dhe të mos na marrë euforia apo të ndikohemi nga tifozët.
Ballafaqimi i fazës së parë me momentin ku jemi aktualisht ndryshon. Rasti konkret është Partizani, mendohej se duhet të kishte më shumë pikë. Medoj se çdo skuadër ka marrë pikët që ka merituar. Partizani në çdo situatë të krijon vështirësi, edhe për shkak të traditës. Meriton respekt, nuk duhet të mendojmë për pikët, por organikën që ka”.


