Lajme

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë: Marrëveshjet në ‘Open Balkan’ u firmosën pas presionit të bizneseve

12/22/2021 09:29
nga:M K

Drejtuesja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, Ines Muçostepa u shpreh se takimi i djeshëm i “Open Ballkan” ishte një takim rezultatesh të prekshme.

Ajo nënvizoi se marrëveshjet që u firmosën dje janë kërkuar drejtpërdrejt nga biznesi. Sipas saj, ato u realizuan në kohë rekord për shkak të presionit të bërë nga bizneset.

“Ne do duam që biznesi në kufi të mos ketë ndalesa. Tani proceset janë shumë më shpejta, do të ketë edhe sisteme elektronike. Do të ketë një komunikim mes administratave për çfarëdo lloj malli që do kalojë”, u shpreh ajo në Euronews Albania.

“Deri në takimin e Shkupit do ketë realizime të tjera. Një pikë tjetër e rëndësishme është eliminimi i të gjithë kostove administrative”, tha Muçostepa më tej.

Mesditën e djeshme në tryezën e “Ballkanit të Hapur” në Tiranë u firmosën 5 marrëveshjet mes kryeministrit Edi Rama, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.