Rifat Latifi mori detyrën e ministrit të Shëndetësisë në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit, një virus ky që ka shkaktuar vdekjen e afro tre mijë qytetarëve të Kosovës.
Ai thotë se aktualisht gjendja me COVID-19 është e qëndrueshme, por nuk mund të ketë lehtësim masash kufizuese.
“Vendet në Evropë kanë një numër shumë të rritur me COVID-19, kanë probleme të jashtëzakonshme nëpër spitale, ndonëse e kanë sistemin shëndetësor shumë më të zhvilluar se ne. Ne, për fat, e kemi një gjendje shumë stabile epidemiologjike, por duhet të jemi të kujdesshëm që kjo të mos na keqësohet, ngase mund të keqësohet brenda ditës, prandaj ne jemi gati për çdo ditë duke analizuar gjendjen epidemiologjike edhe të marrim masa tjera nëse ka nevojë, tash për tash jemi mirë”, tha ai për “Zërin e Amerikës”.
Ministri Latifi thotë se deri më sot nuk është regjistruar asnjë rast me variantin e ri Omicron të koronavirusit.
“Ne i marrim mostrat epidemiologjike që i dërgojmë jashtë vendit edhe ndoshta mund të kemi tani, por deri më tash nuk kemi asnjë, shanset janë shumë të mëdha që edhe ne të kemi sikurse vendet e botës”, tha ai.
Kosova deri më tash ka vaksinuar më shumë se 60 për qind të popullsisë mbi 18 vjeçare kundër COVID-19, por muajt e fundit është shënuar rënie e interesimit për t’u vaksinuar.
Aktualisht në Kosovë ka filluar vaksinimi edhe me dozë përforcuese apo dozën e tretë, për të mbrojtur qytetarët nga variantet e reja të COVID-19, derisa Latifi thotë se vaksinimi është e vetmja mënyrë për të parandaluar vdekjet dhe shtrirjet në spital. /VOA