Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbërritur në Elbasan nën masa të forta sigurie.
Më herët, aty ka mbërritur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Agjenda paraprake parashikonte fillimisht akomodim në Hotelin Rogner e më pas nisjen drejt Elbasanit.
Për arsye sigurie nga situata e krijuar prej manifestimit të Sali Berishës, u bë ky ndryshim në agjendë.
Ndërkohë, mbetet i pandryshuar vendi i organizimit nesër të ‘Open Balkan’.
Ora 9 e të martës së 21 dhjetorit do t’i gjejë kryeministrin Edi Rama, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të ulur në një tryezë në Pallatin e Brigadave, shkruan Top-Channel.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, raporton se në këtë takim të radhës të ‘Open Balkan’ do të diskutohen e miratohen pesë marrëveshje.
Ato janë:
1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore, atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohjen e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohjen e ndërsjelltë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
Po ashtu është planifikuar edhe mbajtja e Forumit Rajonal pët Agrikulturë dhe Bashkëpunim Rajonal.
Konkluzionet e këtij takimi të ‘Open Balkan’ do të bëhen publike nga kryeministri Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, rreth orës 13:00 të së martës.