Lajme

Protesta kundër “Ballkanit të Hapur” – Berisha dhe mbështetësit e tij në bulevard! Blindohet Kryeministria

12/20/2021 18:08
nga:Gazeta Blic

Me këngën “It’s the final countdown” ish-kryeministri Sali Berisha, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së dhe mbështetësit e tyre janë pozicionuar para Kryeministrisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit në protestën kundër “Ballkanit të Hapur”.

Fillimisht ata qëndruan para selisë së Partisë Demokratike dhe më pas shkuan para godinës së Kryeministrisë.

Takimi në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, që do të mbahet nesër në Tiranë, sipas ish-kryeministrit Berisha është një nismë dashakeqe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërkohë raportohet se dyert e Kryeministrisë janë blinduar për të shmangur çdo lloj incidenti, ndërsa pranë saj qëndrojnë edhe makina ujëhedhëse.

Qindra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur për të mbështetur Berishën.

Mes tyre ishte një zotëri, i cili iu drejtua Berishës duke thënë: “Unë ty nuk të ndahem, do jem me ty. Ke shumë gjynahe po unë do ti marr bashkë me ty dhe ty nuk të ndahem.”

Protesta e thirrur nga Berisha është njoftuar se do të mbahet deri në orën 18: 00 dhe sipas informacioneve pritet të jetë paqësore.

Personat që do të mbajnë fjalën janë: Aldo Bumci, Melihate Termkolli, Bujar Nishani, Albana Vokshi, Belind Kellici, Edit Harxhi, Megi Balliu, Ylli Manjani dhe në fund Sali Berisha.

Dera e Kryeministrisë njësoj sikur edhe nga protestat e thirrura nga Basha për muaj me radhë, blindohej, edhe sot janë rikthyer dyert e blinduara, kjo për të rritur sigurinë nëse do të ketë tentativa për të hyrë brenda godinës.

Rreth dy mijë forca policie janë të angazhuara, përveç Gardës së Republikës, për të siguruar që protesta të jetë paqësore dhe mos të përmbyllet me trazira.

Në podium po mbajnë fjalën disa prej mbështetësve të kësaj proteste të thirrur nga Berisha ditë më parë.

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Termkolli: Ballkani i Hapur është një Jugosllavi e Re, përpjekja e fundit e Vuçiç që të realizojë planet e projektet e Millosheviç, por kjo nuk do të ndodhë.

Ne nuk do ta pranojmë Ballkanin e Hapur, Edi Rama bën mirë ta shpallë nul, nuk e duron Kosova këtë fakt.

Ne shqiptarët kemi vetëm një pakt dhe atë me SHBA dhe Perëndimin, kjo është zgjedhja jonë. Amerika është me shqiptarët, ndërsa shqiptarët janë me Sali Berishën. Shqiptaria ka dy lider historik, të madhin Ibrahim Rugova dhe atë aktual Sali Berisha.

Ish-presidenti Bujar Nishani: Sot është një mbrëmje e veçantë , dhe një moment kthesë në demokracinë e vendit. Sonte e keni mbush me mijëra këtë shesh. Ju ka bashkuar një mision i madh dhe fisnik, i vështirë por jo thjeshtë dalja zot e vendit tuaj. Prej 8 vitesh një qeverisje e mbrapshtë nuk ka punuar për këtë vend, po vetëm për xhepin e saj dhe armiqtë e Shqipërisë. Ky shekull do të jetë ai i shqiptarëve. Nuk mund të kthejmë hegjemoninë serbe në rajon. I ashtuquajturi Ballkani i hapur nuk është gjë tjetër veçse kjo gjë.

Demokratja Edith Harxhi: Po mundohen të joshin Kosovën, Kosovën e brishtë. Sa njohje i ka dhënë Kosovës në këto 9 vite, 0, ka shëtitur disa herë në Beofgrad. Janë të gjitha mashtrime. Ku dolëm përsëri në një komb, një qëndrim, jemi ne ata që e bëjnë kombin, rreziku vjen nga Rama, nga Vuçiç dhe ata që paguan Ramën dhe Vuçiç në mision për të djegur Ballkanin. Gjoja nip i Pejës ai, asgjë në 4 vitet e fundit që është diskutuar, ka bërë vetëm një deklaratë të mjerë nga selia e PD. I them Edi Ramës dhe Vuçic, për mua dhe miliona shqiptarë Kosova është Jerusalemi ynë është Meka jonë.