Nga miratimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2022, u bë e ditur se për Gjilanin janë ndarë rreth 700 mijë euro.
Por kjo shumë po vlerësohet si e pamjaftuar nga gazetarë e opozitë lokale në këtë komunë, që thonë se ekzekutivi qendror po injoron qytetin e Gjilanit.
E këto pretendime po i hedhin poshtë nga Vetëvendosje. Sipas deputetes Arbëresha Kryeziu, përkrahja financiare për Gjilanin është shumë më e madhe se sa që është raportuar fillimisht, sepse lista me projektet tjera nuk është publikuar e plotë.
Ndaj sipas saj, të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale do të zbatohen dhe investimet gjatë vitit të ardhshëm pritet të jenë milionëshe.