Eda Zeqiri e përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike të “Tokyo 20”, duke qenë në mesin e 11-shes së artë në Olimpiadën e kësaj vere.
Sidoqoftë, në prag të dimrit 17-vjeçarja nuk është pjesë e kombëtares në Kampionatin Botëror në 25 metra që po zhvillohet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Zeqiri së bashku me dy notarët e tjerë të klubit Mal Gashi dhe Era Budima janë dëmtuar sipas kryetarit të tyre, Agron Zeqiri.
Eda Zeqiri ka deklaruar se sipas rregullave të Federatës Botërore të Notit, ajo i ka përmbushur kriteret për të marrë pjesë në Abu Dhabi por siç pretendon ajo, kjo duket se nuk ka qenë e mjaftueshme për Federatën e Notit të Kosovës.
Ndërkohë Kryetari i Federatës të Notit të Kosovës, Astrit Haliti ka deklaruar se notarët kanë shkuar nga pikët e fituara në garat zyrtare si kampionati i Kosovës.
Haliti gjendet në Abu Dhabi së bashku me katër notarët që po e përfaqësojnë Kosovën, Erina Idrizaj, Fjorda Shabani, Martin Muja dhe Alush Telaku.


