U bënë tetë ditë që kur u betua si kryetar i Prishtinës, e një muaj e një ditë nga dita e fitores, por Përparim Rama, ende nuk e ka vendosur asnjë drejtor në dikastere komunale, raporton Gazeta Blic.
Ky ngërç, është duke u shkaktuar për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm në Kuvendin Komunal të Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LDK – parti e cila kandidoi Ramën për kreun e Prishtinës, ka arritur t’i merr vetëm 14 asambleistë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Ani pse LDK doli e para në garë për kryetarin e kryeqytetit, në nivel të kuvendit komunal, partia e Lumir Abdixhikut, doli në vendin e dytë, pas Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga 26 numra në kuvend komunal, sa duhet t’i ketë për ta bërë shumicën, LDK i posedon veç 14 sosh. 9 janë nga radhët e PDK-së. 6 nga AAK. 3 nga AKR dhe nga një e kanë NISMA dhe Lëvizja për Bashkim.
Kjo mungesë e numrave në kuvend, është duke e shkaktuar edhe ngërcin institucional në emërimin e drejtorëve komunal në Prishtinë.
Asnjë emër deri më tani nuk dihet se kush do të udhëheq me drejtoritë komunale të Prishtinës.
Deri më tani, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, që kanë deklaruar hapur se do të rrinë në opozitë, një gjë e tillë është thënë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ky qëndrim i VV-së dhe AAK-së, bëri që të përhapen zëra se koalicioni në Prishtinë do të arrihet mes LDK-së dhe PDK-së. Madje, u përmend edhe emri i Blerand Stavilecit si nënkryetar i Komunës. Por, në një reagim nga vetë Përparim Rama, u mohuan këta zëra, ani pse ende nuk është e qartë situata që mund të ndodhë për sigurimin e votave të nevojshme për funksionalizimin e qeverisjes në kryeqytet.
Vetë Rama, para disa kohësh ishte i çuditshëm në deklarimet e tij, i cili përkundër nevojës për koalicione, vazhdonte të thoshte se koalicioni i tij është me qytetarin.
Rama ka folur shpesh se anëtarët e Komunës së Prishtinës, do të jenë përtej bindjeve politike – profesionistë të fushave.
“CV-ja e ekipit tim do të ketë rëndësi të madhe. Ekipi do të jetë i bazuar në profesionistë dhe menaxher të mirë. Nuk ka rëndësi se nga cila parti janë apo janë të pavarur. E rëndësishme është që ata të jenë menaxher të mirë sepse na duhen që ta shndërrojmë Prishtinën në qytet për të mirën e qytetarëve”, pati thënë Rama.