Kryetarit të FSHSK-së, Blerim Sylës, duket se i ka humbur durimi ndaj qeverisë Kurti.
Në një bisedë për Gazeta Blic, thotë se nuk do të diskutojnë më me përfaqësuesit e qeverisë, lidhur me kërkesat e tyre.
Ai thotë se pas diskutimeve që do mbahen sot në seancën e Kuvendit, do të mblidhet Këshilli Drejtues i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, për të marrë vendimin e ri lidhur me kërkesat e tyre.
“Po e presim Kuvendin në ora 14:00, ku do të flitet për këtë temë. Pas diskutimit në Kuvend, e mbledhim Këshillin Drejtues i FSHSK-së. Aty do të marrim vendime. Nuk negociojmë më me ta (Qeverinë)”, ka thënë Syla.
Në anën tjetër, ditëve të fundit ka pasur një përplasje në distancë mes kryeministrit Kurti dhe drejtuesve të sindikatave të punëtorëve të sektorit publik në vend.
E gjithë kjo rrodhi, pas sulmit që Kurti ua bëri dje gjatë seancës së Kuvendit për disa nga krerët e sindikatave.
E i menjëhershëm ka qenë reagimi nga ana e tyre, të cilët kanë paralajmëruar edhe bojkotim të punës, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Sindikata e arsimit dhe shëndetësisë, kanë dhënë afat deri me 15 dhjetor, që qeveria t’i zbatojë kërkesat e tyre – për aprovimin e Ligjit të Pagave.
Në rast se një gjë e tillë nuk ndodhë, sindikalistët kanë paralajmëruar bojkotim të procesit mësimor dhe ofrim të shërbimeve mjekësore.