Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se ka pranuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, sipas së cilës i anulohet vendimi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës për gjobë në kundërvajtje aktivistëve të kësaj organizate.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë organizata feministe nëpërmjet një komunikate.
“Gjykata e Apelit e aprovoi si të bazuar ankesën e përbashkët të aktivistëve dhe e anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, duke kthyer kështu lëndën në rivendosje. Gjykata e Apelit ka kërkuar që Themelorja të vërtetojë se kush është ofenduar e turpëruar nga grafitet dhe të konstatojë nëse qëllimi i aktivistëve/eve ka qenë prishja e qetësisë publike”, thuhet në komunikatën e tyre.
“Vendimi i Gjykatës së Apelit që ka aprovuar si të bazuar këtë ankesë, dëshmoi se aktgjykimi i Themelores i bazuar në vlerësimin e grafiteve nga Policia si “të turpshme” si cak të vetëm kishte disiplinimin e aktivitetit feminist. Andaj, ne si aktiviste/ë feministe/ë do ta vazhdojmë rezistencën tonë të përbashkët në kundërshtim të dhunës dhe shtypjes ndaj vajzave dhe grave dhe identiteteve tjera të paprivilegjuara në vend dhe kudo tjetër”, deklarohet tutje në komunikatë.


