“Boll mo” është motoja e protestës së Shoqatës së Gastronomëve, kundër masave të vendosura nga qeveria, për parandalimin e rritjes së infektimit me koronavirus, raporton GazetaBlic.
Kjo protestë, që do të mbahet nesër në ora 13:00, para objektit të qeverisë, i ka këto kërkesa: heqjen e orës policore dhe lejimin e mbajtjes së dasmave dhe klubeve të natës.
Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve, në një bisedë për Gazeta Blic, thotë se ata nuk do të ndalen deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Kllokoqi thotë se nëse protesta e së mërkurës nuk do të ketë efekt, ajo e radhës do të mbahet të shtunën, duke filluar nga ora 21:30, në kohën kur obligohet ndalja e muzikës nëpër kafiteri.
Tutje ai thekson se kërkesa e tyre është që të hiqen masat, të paktën për tre javët e ardhshme, për shkak të festave të fundvitit dhe ardhjes së mërgatës në vendlindje.
“Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona nesër, protestën e radhës do e organizojmë të shtunën në orar kur është e ndalueshme muzika dalim në shesh. S’kanë kuptim këto masa. Jemi vaksinu. Kemi ba thirrje si shoqatë për me vaksinu. Nuk nau ka shpërbly qikjo. Po dojkmë me i hap diskotekat dhe sallat e dasmave. Me u hjek ora policore në këto tri javë për shkak të festave dhe ardhjes së mërgatës në vendlindje”, tha Kllokoqi në një përgjigje për Gazeta Blic.
Në fund, Petrit Kllokoqi thekson se që dy muaj nuk janë pranuar në takim nga ana e zyrtarëve të Qeverisë Kurti.
Protesta e nesërme, është duke u mbështetur edhe nga Oda e Hotelierisë së Kosovës.
Tashmë kanë nisur mobilizimi i anëtarëve të Shoqatës së Gastronomëve dhe atyre të Odës së Hotelierisë. Ata kanë zhvilluar një sërë takimesh në qytete të ndryshme të vendit, në mobilizim për të marrë pjesë sa më shumë gastronomë në protestën e nesërme.
Përpos orës policore, lokalet e gastronomisë dhe hotelerisë po vazhdojnë të kenë masa të veçanta sa i përket shërbimit.
Fillon mobilizimi i Shoqatës së Gastronomëve dhe Hotelerisë për protestën para Qeverisë