Kuvendi Komunal i Rahovecit sot ka mbajtur mbledhjen konstiuive me pikë të vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit.
Por kjo nuk është arritur, pasiqë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë lëshuar seancën.
Fillimisht në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kryesues është propozuar Afrim Dina. Kurse, LDK, PDK dhe VV nuk kanë propozuar asnjë kandidatë.
Më pas në emër të LDK-së, Burim Krasniqi, ka deklaruar se kjo parti nuk do të qëndrojë deri në fund për ta zgjedhur kryesuesin, pasi sipas tij, nuk mund të funksionojë një asamble pa ndonjë marrëveshje me subjektet tjera.
“Unë po ndihem keq edhe për asamblistët e AAK-së edhe për të propozuarin për kryesues të Asamblesë Komunale, por për secilin delegat të asamblesë komunale kur tentohet të nënçmohet skajshmërish asambleja komunale. Nuk e di si mendohet me funksionu një asamble kur në seancën e parë është e ofenduar dhe ku tentohet me zgjedh kryesuesin pa asnjë lloj marrëveshje, qoftë me një parti politike apo çfarëdo formati që garanton numrin në asamble komunale. Për mua është e papranueshme”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i inkurajoi grupet e tjera politike që të bëjnë propozimet e veta pavarësisht rezultatit.
“Për mua si kryetar komune është me interes me u zgjedhë kryesuesi dhe besoj për të gjithë është në interes, edhe për juve si anëtarë të zgjedhur të Komunës por edhe për qytetarët, për atë është mirë me u zgjedhë sot. Uroj që të zgjidhet cilido kandidat që i merr votat qoftë në raundin e parë, në të dytin apo në të tretin, por të zgjidhet. Ky është pozicion edhe parimor edhe shumë i qartë i kryetarit të komunës. Nuk mendoj që duhet me shku në modalitete të tjera të cilat nuk japin një shembull të themelimit të Kuvendit të Komunës”, tha Latifi.
Ndërkohë, seanca përfundoi në mungesë të kuorumit.
Arrestohet në Romë ish-kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla


