Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar pas arrestimit të tre personave, të cilët dyshohen të kenë kryer sulmin e 29 nëntorit në Gllogjan të Deçanit.
Përmes Facebookut, Ramosaj ka përgëzuar organet e drejtësisë, teksa ka bërë thirrje që të mos ndalen deri sa të zbardhin plotësisht këtë rast.
“I përgëzoj organet e drejtësisë, në zbardhjen e rastit, konkretisht në kapjen e të dyshuarve në lidhje me vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan. I inkurajoj organet e rendit të shtetit tonë, që të mos ndalen deri në zbardhjen përfundimtare të vrasjes makabre në Gllogjan! Uroj që raste të tilla, të mos përsëriten më në shqiptari!”, ka shkruar Ramosaj.
Më 26 nëntor, një autobus në lëvizje u sulmua në Gllogjan nga një person i maskuar. Nga ky sulm ndërruan jetë 3 persona, përfshirë shoferin e autobusit dhe dy nxënës që po udhëtonin në të.
Më herët Prokuroria Themelore në Pejë doli me komunikatë zyrtare se ka realizuar arrestimin e tre personave të dyshuar, por që nuk dha më shumë detaje për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Kryeprokurori i Prokurorisë në Pejë, Agim Kurmehaj, tha se njësitet relevante janë duke hetuar akoma çdo pistë që çon në zbulim të plotë të ngjarjes.