Lajme

Blerim Syla: Shantazh dhe shkelje e Kushtetutës vendimi për deklarimin e pasurisë nga mjekët dhe profesorët!

12/10/2021 18:16
nga:Y I

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, e konsideron një lloj shantazhi dhe shkelje të Kushtetutës vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës që mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

Syla ka thënë se të njëjtën nuk e kërkojnë për këngëtarët dhe për ata që punojnë në sektorin privat.

“Nuk e shoh si hakmarrje por shkelje të Kushtetutës. Nëse duhet të deklarojnë pasurinë mjekët dhe profesorët, ku janë estrada këngëtarët e njerëzit që punojnë vetëm privat që nuk deklarojnë asgjë. Ky është një lloj shantazhi”, tha Syla.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua kërkesa e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, që mjekët e profesorët që punojnë në institucionet publike të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

Kërkesa e Sallahut u miratua me shumicë votash nga kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat të pranishëm në mbledhje.

“Është bërë një kategorizim i ri i zyrtarëve publikë që do të deklarojnë pasurinë. Në kategorinë e zyrtarëve publikë janë shtuar mjekët dhe profesorët në institucionet publike”, ka thënë Sallahu.

Projektligji me ndryshime për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave tani e pret miratimin edhe në Kuvend./E0/

“Pasi i ka kry të gjitha punët, le të merret edhe me këto”- Jasharaj ironizon me Qeverinë pas vendimit për deklarimin e pasurisë për profesorët!