Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person në Obiliq pasi që është prezantuar kinse zyrtar policor, duke ndaluar veturat në rrugë.
Arrestimi i personit, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, ka ndodhur pas pranimit të informacioneve të bëra publike përmes rrjeteve sociale, ku në një video shihet një automjet me një person të dyshuar duke përdorur aplikacione të ndryshme në telefon, me drita kinse vezulluese dhe duke i ndaluar veturat civile në autostradë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, personi i cili ka postuar videon në fjalë është identifikuar dhe i njëjti është sjellë në stacionin policor Obiliq dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, pasi që ai gjatë asaj ngjarje në videon e publikuar, ishte prezantuar si zyrtar policor.
Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave nga njësia e hetimeve është kontaktuar prokurori kujdestar, i cili ka sugjeruar që të iniciohet rasti “prezantim i rremë si person zyrtar”. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.


