Ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se ligji i pagave tash e nëntë muaj nuk është sjell në Kuvendin e Kosovës, edhe pse sipas tij ligji ka qenë i gatshëm pas vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese, raporton Gazeta Blic.
Hoti ka thënë se janë të papranueshme presionet e qeverisë Kurti mbi sindikatat, e ku sipas tij në vend të dialogut social me to, ndaj tyre po ushtrohet presion në mënyra të ndryshme.
Reagimi i plotë:
Po bëhen 9 muaj dhe ende ligji i pagave në sektorin publik nuk është sjellë në Kuvend. Ky ligj ka qenë pothuajse i gatshëm në qeverinë paraprake, ku jane adresuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.
Në anën tjetër, në vend të dialogut social me sindikata për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për buxhetin dhe që do të ishte e pranueshme për të gjithë, ne po shohim konfrontime qeveri-sindikata dhe tendencë për ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e organizimit sindikal në Kosovë. Kjo sjellje eshtë e papranueshme. Sindikatat janë institucione shoqërore të veçanta, të rregulluara dhe të mbrojtura me ligj. Ato kanë bartur barrën e ndryshimeve shoqërore e politike në Kosovë në vitet më të vështira. Ato nuk janë vetëm organizata që mbrojnë interesat e punëtorëve që ato i përfaqësojnë. Është obligim shtetëror që sindikatat të jenë pjesë substanciale e konsultimeve për ligjin e pagave, si dhe për shumë ligje dhe vendime të tjera shtetëtore.
Me këtë vonesë të procedimit në Kuvend të ligjit për paga në sektorin publik dhe mosinteresim të qeverisë për të adresuar shqetësimet e sindikatave, me të drejtë deputetë të opozites marrin nisma për ndarje të buxhetit për paga.
Ne do ta diskutojme me shumë kujdes amandamentin për ndarjen e mjeteve për paga në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-se përpara seancës së Kuvendit më 22 dhjetor, kur votohet buxheti në lexim të dytë.


