Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se punë me prioritet dhe urgjente duhet të jetë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
Në Ditën e të drejtave të njeriut, Kurti deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa e zbardhur këtë çështje.
“Ne kemi bërë të qartë se kjo çështje është prioritet dhe gjithmonë e kemi bërë të ditur për këtë. Unë besoj që e keni përcjellë edhe ju se personalisht kam qenë i zëshëm me akterë relevantë ndërkombëtar, e kam përmendur çështjen e të zhdukurve me dhunë. Po e përmend se marrëveshje me Serbinë nuk do të ketë pa zbardhjen e kësaj çështjeje”, shtoi Kurti.
Ai deklaroi se janë në diskutim të hapjes së disa vendvarrezave, derisa shtoi se kanë kërkuar amandamentimin e Ligjit, mirëpo ende s’ka përfunduar.
“Në nëntor e kemi nisur draftimin e Ligjit dhe në gjashtë muajt e parë të 2022-s do të kemi mekanizëm, që do të adresojë krimet e luftës. Po punojmë që të bëjmë më të mirën që të mbyllim plagët e juaja por edhe neve. Jam i bindur që me Andin Hotin keni një bashkëpunim të shkëlqyer”, deklaroi Kurti para Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Ai rrëfeu se nga 10 qershori i 1999-s “ka qenë i zhdukur”, për faktin se familja nuk e ka ditur se ku gjendet.
“Deri atëherë kur na vizitonte Kryqi i Kuq, andaj unë u lirova. Kisha përgjegjësi t’i bashkohem nënës Nysrete dhe nënave të tjera për të bërë trysni mbi Beogradin, që të zbardhet fati i djalit të nënës Nysrete, e i shumë personave të tjerë, të cilët fillimisht ishin pesëmijë, e mandej u mor vesh që dymijë kanë përfunduar në burgje. Tani i kemi njëmijë të pagjetur”, shtoi tutje.
Kreu i këtij Komisioni, Andin Hoti, shfaqi një video ku u shfaqen sfidat kryesore në punën rreth personave që ende nuk janë gjetur.