Lajme

Shkullaku: “Ballkani i Hapur” iniciativë për faktorizimin e Ramës dhe Vuçiqit

12/09/2021 21:59
nga:Y I

Sipas opinionistit nga Tirana Armand Shkullaku, as bashkimi kombëtar e as nisma e Ballkanit të Hapur nuk do të realizohen.

Për të parën, Shkullaku tha se është një manovër politike për konsum të brendshëm, ndërkaq idenë e Ballkanit të Hapur e quajti proces të Novi Sadit, që ka për qëllim faktorizimin e Ramës e të Vuçiqit.

“As bashkimi kombëtar, e as Ballkani i Hapur, sipas mendimit tim, nuk do të ndodhin, sepse projekti i parë bashkimi kombëtar është një projekt afatgjatë, por edhe nuk është një projekt serioz, mbi të cilin elita politike dhe akadamike, si e Shqipërisë si e Kosovës, të jetë marrë, të ketë punuar, ta ketë elaboruar një ide, mbi të cilën pastaj mund të gjykojmë hapat që do të hidhen. Fillimisht është thënë që do të ketë Bashkim të Shqipërisë me Kosovën, por në Bashkimin Evropian, pastaj kryeministri Rama dhe presidenti Thaçi patën deklaruar se nëse BE-ja vazhdon të na refuzojë, ne do të bashkohemi mes vete. Tash po dëgjojmë se do ta bëjmë këtë gjë, por me një referendum, nëse referendumi mund të bëhet, pra s’është projekt, por janë manovra politike që shpesh janë përdorur për konsum të brendshëm politik nga të dyja anët,” tha Shkullaku në Rubikon.

Tutje Shkullaku tha se as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e as presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk janë konsistent në qëndrimet e tyre, pasi ata fillimisht flisnin për shkëmbim territoresh, ndërsa tash flasin për heqje të kufijve.

“Sa i takon Ballkanit të Hapur, mendoj se për sa kohë Ballkani i Hapur do të mbetet si një nismë, unë i them procesi i Novi Sadit në fakt sepse aty e ka zanafillën, për sa kohë do të mbetet një iniciativë e Vuçiqit me përkrahjen e Edi Ramës dhe nuk do të jetë gjithëpërfshirëse dhe nuk do të ketë mirëkuptim nga gjithë vendet e tjera të Ballkanit, këtë e shikoj si një iniciativë politike për të faktorizuar, për t’u dhënë fuqi politike në rajon dy liderëve në fjalë, të cilët, për hir të se vërtetës, kanë probleme me autoritarizmin dhe mënyrën si po drejtojnë demokracitë në vendet e tyre dhe për t’iu venë një kapak këtyre problemeve të brendshme shpesh politikanët dhe rasti konkret këta dy liderë, përdorin fuqinë e tyre në rajon si negociatorë të vetëm, si faktorë të vetëm, për të bindur vendimmarrjen e fuqishme perëndimore që ata janë njerëzit, me të cilët duhet biseduar, ata janë të pazëvendësueshëm, ky është nënteksti.”

“E them ketë gjë sepse vetëm këtu mund të ndodhë që dy politikanë, qoftë Vuçiq, qoftë Rama, Vuçiq drejtpërdrejt, por Rama diku më i tërhequr, kanë qenë para do kohësh me projektin e shkëmbimit të territoreve. Pra mbani mend atëherë sa është folur për këtë projekt, në Kosovë nuk thuhej shkëmbin territoresh, por thuhej do të marrim Luginën e Preshevës dhe Bujanovcin, pra do ta zgjerojmë.”

“Tani shohim që ka një kapërcim nga një projekt etnikisht i pastër, pra nga një Ballkan me mure në një Ballkan pa mure fare. Pra këtu tregon që nuk ka konsistencë, nuk ka filozofi dhe nuk ka plan të caktuar për të arritur diçka që vërtet i shërben rajonit. Mendoj që është për përdorim të brendshëm politik”, tha Shkullaku.

“Të gjitha deklaratat e kryeministrit shqiptar ishin ledhatuese për Vuçiqin, glorifikuese për Vuçiqin dhe shumë të ashpra për gjithë liderët kosovarë, pavarësisht forcave politike që ata përfaqësojnë, sa herë që Kosova nuk ka marrë pjesë në takimet e ‘Open Balkans’, aq herë Edi Rama i ka kritikuar ata me tone mjaft të ashpra. Jo se po ia mban krahun Vuçiqit, por i intereson që ata të shihen si dy liderët largpamës dhe të pagabueshëm, vizionarët e Ballkanit, të cilët kanë në dorë fatet e secilit prej nesh. Pra pa ata dy Ballkani është i humbur, unë mendoj që është e kundërta, janë dy politikanë problematikë se si drejtojnë vendet e tyre”, tha Shkullaku.