Lajme

“Fusnota mundësoi përfaqësimin e Kosovës në shtetet ku s’ka qasje”

12/08/2021 19:22
nga:Gazeta Blic

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se prezantimi i Kosovës me fusnotë duhet parë në disa këndvështrime.

Ai thotë se pikërisht fusnota ishte ajo që i mundësoi Kosovës nënshkrimin e disa marrëveshjeve dhe pjesëmarrjen në disa vende.

“Kosova s’është paraqitur si republikë, por me fusnotë dhe e dimë si e ka trajtuar partia në pushtet këtë çështje. S’është faji i saj, kjo është e vërtetë. Por duhet kuptuar se ajo fusnotë na ka mundësuar përfaqësimin tonë në ato vende ku s’kemi qasje. Po të mos kishim fusnotë, as MSA-në s’do të kishim mundur ta nënshkruajmë. Asnjë marrëveshje s’e ka minuar shtetësinë e Kosovës”.

“Duhet ta dimë se çka fitojmë nga secili veprim që e bëjmë dhe rezultatin që e marrim në fund. Këtu duhet të rrjedhë logjika dhe jo kush është më i mirë apo më i keq. Në diplomaci fitojnë faktet e mbështetura me aleanca. Pra, edhe nëse ke fakte dhe s’ke aleanca, prapë do të jesh më i atakuari”.

Arifi tha se Kosova duhet të synojë ta mbyllë çështjen përfundimtare me Serbinë. Çështja është se si ta mbyllim dhe në çfarë mënyre ta mbyllim.

Po ashtu, ai tha se Kosova duhet t’i japë alternativat e saj për ta zgjidhur problemin me Serbinë.

“Bashkimi Evropian është krejt një problem në vete, sepse nuk e njeh ekzistencën e Kosovës si shtet dhe kjo na penalizon në secilin hap që e bëjmë. E vërtetë që na duhet një konsensus politik, por këtë që 10 vjet s’po e gjejmë. Duhet një plan konkret meqë ne si shoqëri ende nuk e dimë çka po duam”.