Lajme

Deputeti i Vetëvendosjes: Paraqitja e Kurtit në Bruksel qe në nivelin e duhur

12/08/2021 18:41
nga:Gazeta Blic

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha, ka thënë që paraqitja e kryeministrit Albin Kurti në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit në Bruksel, ka qenë në nivelin e duhur.

“Dje, ka qenë takimi i katërt i Këshillit të marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit mes qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Europian, ku diskutohet përparimi që kemi bërë në zbatimin e kësaj marrëveshje. Aty janë diskutuar shumë çështje sa i përket marrëveshjes dhe për mendimin tonë paraqitja e Kurtit dhe qeverisë ka qenë në nivelin e duhur”.

Batusha në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, tha që Kosova ndodhet në një situatë ku shumë më shumë sipas tij, duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët.

“Dialogu Kosovë –Serbi ndodhet në një pikë ku duhet të kemi kujdes dhe i bëjmë thirrje edhe opozitës edhe shoqërisë civile, që të bashkohemi sepse kurrë më shumë se tash na duhet të kemi një qëndrim të përbashkët ndaj një armiku i cili po shfrytëzon secilën dobësi tonën që të na vë në pozita të palakmueshme”, tha Batusha.