Përfaqësuesi i Këshillit të Specializantëve, Dijon Musliu, ka bërë të ditur se specializantët do të protestojnë edhe nesër para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ai ka theksuar se protesta e tyre vjen sërish, pasi nga Komisioni për Buxhet dhe Financa u janë refuzuar pagesat për paga dhe për mëditje të punës së kujdestarisë 24 orëshe.
“Ne kemi paralajmëruar një protestë tjetër për nesër, kemi pasur një marsh edhe javën e kaluar. Nuk jemi të përfshirë me askënd, jemi në grup prej të gjitha klinikave dhe i përfaqësojmë interesat tona”.
“Protesta nesër do të fillojë nga ora 09:00 dhe do të zgjas deri në ora 11:00, do të mbahet para Ministrisë së Shëndetësisë. Kemi kërkuar të kemi një takim me ministrin e ri të Shëndetësisë, jemi duke pritur përgjigje dhe do të shohim se cila do të jetë zgjidhja për ne”, ka thënë Musliu në Klan Kosova.