Lajme

Pfizer akuzohet për përhapjen e gënjeshtrave për vaksinën e rivalit më të madh – AstraZeneca

12/07/2021 14:04
nga:M K

Gjiganti farmaceutik Pfizer akuzohet se u ka dhënë shuma të majme të parave ekspertëve që të diskreditojnë vaksinën kundër coronavirusi nga kompania konkurrente AstraZeneca, e ky zbulim është bërë dhe transmetuar nga televizioni britanik Channel 4.

Pfizer pretendohet se ka financuar prezantimin, ku folësit kanë “konstatuar” që vaksina e AstraZeneca mund të shkaktoj kancerin dhe se nuk është e sigurtë për pacient me imunitetin e dobët.

E deri te kjo deklaratë erdhi gjatë një seminari në Kanada që u mbajt gjatë vitit të kaluar, por nuk dihet sesa prezantime të tilla ka pasur apo nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar.

Por Pfizer ka mohuar akuzat, duke theksuar se ky prezantim në mënyrë të rrejshme po u faturohet atyre dhe se atë e ka organizuar pala e tretë.

Një fakt tjetër interesant nga hulumtimi, nxjerr në pah se shpenzimet e prodhimit të dozave të vaksinës së Pfizer kanë kushtuar vetëm 76 peni për një injeksion.

E duke marrë parasysh që Pfizer kërkon 22 funte për dozë, kjo tregon marzhën e fitimit prej 3.000 për qind në raport me çmimin e prodhimit.

Pfizer këmbëngul se këto përqindje janë të pasakta dhe se nuk është marrë parasysh hulumtimi klinik, prodhimi në nivel masiv dhe distribuimi global.

Profesori Sir Andrew Pollard, drejtor i Oxford Group që ka zhvilluar vaksinën AstraZeneca, ka mohuar pretendimet dhe ka paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së dezinformatave për vaksinat.

“Ekziston rrezik i madh nga dezinformim, pasi kjo i detyron njerëzit të spekulojnë për vaksinat dhe kështu rrezikojnë jetën e tyre. Kjo mund të ndikojë në vendimet e njerëzve sa i përket shëndetit të tyre dhe të krijoj pasiguri”, shtoi ai.