Lajme

11 dhjetor 2019: Albin Kurti “krenohej” me kryetarët e sindikatave, u premtonte mbështetje

12/06/2021 17:40
nga:Gazeta Blic

Ani pse tani si kryeministër i vendit, po i kritikon dhe nuk po i pranon në takim, dikur si opozitar, përveç që i takonte, edhe krenohej me ta, shkruan Gazeta Blic.

Ishte data 11 dhjetor e vitit 2019, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, atëherë si kryetar i opozitës, kishte pranuar në takim, të njejtit kryetarë të sindikatave që tani po i kritikon.

Blerim Syla dhe Rrahman Jasharaj, ishin disa nga kryesindikalistët që Kurti ua dëgjonte hallet dhe u premtonte mbështetje.

Madje, në shkrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, kritikohej në atë kohë: presidenti Thaçi, që nuk po i takon krerët e sindikatave në vend.

Për më tepër, në njoftimin e partisë së Kurtit në atë kohë, thuhej se , përfaqësuesit e sindikatave shprehën falënderimet e tyre për gatishmërinë e përhershme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për t’i takuar dhe trajtuar problemet e punëtorëve.

Shkrimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje në dhjetor të vitit 2019:

Sot, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kryesisë dhe komiteteve profesionale, pritën në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Fillimisht, përfaqësuesit e sindikatave shprehën falënderimet e tyre për gatishmërinë e përhershme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për t’i takuar dhe trajtuar problemet e punëtorëve, për dallim nga Kryeministri në ikje dhe Presidenti aktual, nga të cilët nuk kanë marrë përgjigje në ftesat për takim. Ata njoftuan Kurtin dhe të pranishmit e tjerë me qëndrimet e tyre mbi Ligjin mbi Pagat, i cili aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ata shprehën shqetësimet e tyre me zhvillimet e fundit në raport me këtë ligj dhe njoftuan se janë në kontakt me Këshillet Drejtuese të secilës nga këto tri sindikata, me të cilat do t’i shqyrtojnë veprimet e ardhshme.

Të dyja palët u pajtuan se në raport me këtë çështje, çfarëdo hapi i mëtutjeshëm është i kushtëzuar nga dy procese të rëndësishme për vendin: formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin mbi Pagat. Gjithashtu, ato u pajtuan që, si asnjëherë më parë, për të gjitha çështjet të vazhdojë bashkëpunimi i afërt mes Qeverisë së ardhshme dhe të gjitha sindikatave.