Lajme

Ligji ia ndalon Kryeministrit Kurti të përzihet në sindikata (Dokument)

12/06/2021 11:08
nga:N M

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes deklaratave të tij, po shkel Ligjin nr. 04/L-11 për organizimin sindikal në Kosovë.

Ky ligj, ia ndalon autoriteteve qeveritare të ndërhyjnë në organizimin sindikal dhe në zgjedhjen e përfaqësuesve sindikal.

Por, Kryeministri Kurti ka shprehur pikërisht dëshirën e tij që të ndërrohen disa drejtues sindikatash.

“Uroj që ndryshime të ketë gjithandej, siç po bëhen ndryshimet në politikë, duhet të ketë ndryshime edhe në çdo sferë të jetës shoqërore dhe profesionale”, tha Kurti, kur u pyet lidhur me grevat që janë duke u organizuar nga sindikatat e shëndetësisë, dhe të tjerat që paralajmërojnë të tilla nëse nuk hyn në fuqi Ligji i Pagave.

Por ky reagim i kyreministrit Albin Kurti ka ngjallur reagime të shumta te drejtuesit e sindikatave të ndryshme në Kosovë si ajo e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, atyre të Shëndetësia dhe Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.

Sipas tij, ndryshimet janë të mira për komunitetet që përfaqësohen nga këta individë. “Kjo për shkak se jam bindur edhe punëtorët shëndetësor edhe qytetarët e Kosovës nuk mjaftohen që për shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo qofshin apo kudo që ata janë,” ka thënë Kurti.

Këto deklarata të Kryeministrit Kurti, janë në kundërshtim me Ligjin për Organizimin Sindikal në Kosovë. Në nenin 25 të tij, specifikohet qartë ndalimi i ndërhyrjes në sindikata nga autoritetet qeveritare.

“Ndalohet çdo akt ndërhyrjeje në krijimin e programeve sindikale, në zgjedhjen e përfaqësuesve sindikal dhe në administrimin e organizatave sindikale nga autoritetet qeveritare”, thuhet në pikën e parë të nenit 25.

Për më tepër edhe shkarkimi i një anëtari të zgjedhur në sindikatë, nuk është detyrë e Qeverisë dhe as e Kryeministrit. Në nenin 10 të po të njëjtit ligj, në pikën 3, thuhet se “Anëtarët e zgjedhur mund të japin dorëheqje apo të shkarkohen nga detyra nga organi i cili i ka zgjedhur në pajtim me dispozitat ligjore”

Rrahman Jashari, nga SBASHK ka thënë se nuk është punë e kryeministrit të Kosovës se kush udhëheq me sindikatat në vend.

Jashari kërcënimet e kryeministrit Kurti ka thënë se do t`i adresojnë në Unionin e Sindikatave të Evropës lidhur me këtë deklaratë të Kurtit, nga të cilët edhe pret reagim drejt kryeministrit.

“Kjo është deklarata e parë në gjithë vitet e pasluftës kur kreu i shtetit jep deklarata të tilla lidhur me sindikatat. Po them nuk është as çështje as detyrë e kryeministrit e as e ministrave as institucioneve se kush do ti udhëheq sindikatat në Kosovë dhe për këtë gjë të vetmit pyeten anëtarësia. Për SBASHK-un pyetet anëtarësia sepse çdo katër vite mbahet kongresi, pas zgjedhjeve që bëhen duke filluar nga shoqata, pra nga shkollat, çerdhet, pastaj universitetet edhe nga sektori i kulturës që është pjesë e jona… ” ka thënë Jashari ndër të tjera.

Reagim të ashpër ndaj deklarateve të kryemninistrit ka patur edhe Blerim Syla nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës

Sipas tij deklaratat e Kurtit për ndërrim të udhëqesve të sindikatave në Kosovë janë kërcënim direkt.

Syla sikurse edhe Jashari ka pralajmëruar se do të ankohen ën ambasadat e huaja që janë të instaluara në Kosovë.

“Shantazhet dhe kërcënimet e kryeministrit Albin Kurti nuk kanë bërë punë tek unë. Ai nuk po e mban fjalën që ma dha derisa ishte në opozitë, ku më tha se do ta bënte koeficientin gjashtë edhe për infermierët dhe mjekët. Pas këtyre, si duket ka zgjedhur njëfarë rruge tjetër, shtetin po e qon në diktaturë” , ka vlerësuar ai.

“Në moment kur shteti tenton t’i kontrollojë sindikatat, shkojmë në diktaturë me një ritëm të tillë. Nga nesër do t’i lajmërojë të gjithë përfaqësuesit e ambasadave në Kosovë dhe shtetet e QUINT-it për këtë kërcënim që ka bërë zoti Kurti,” ka thënë Syla.

Syla: Po na kërcënon kryeministri, nesër do t’u ankohem ambasadave

Rrahman Jashari – Albin Kurtit: Nuk është punë për ty hiç se kush i udhëheq sindikatat