Kryeministri Albin Kurti, ka dënuar gjuhën e përdorur nga Gjykata në Gjilan në rastin e dhunimit të një 19-vjeçareje nga 5 persona.
Nga kjo gjykatë kishin thënë se viktima ka pranuar të udhëtojë me të akuzuarin, duke e cilësuar atë me shprehi jo të mira.
Për këtë rast, Kurti në një konferencë për media ka thënë se është dëshmi se sa e thellë duhet të jetë reforma në sistemin e drejtësisë.
Ai ka thënë se sot nga ora 15:00 do të mblidhet me ministren e Drejtësisë, ministrin e Punëve të Brendshme dhe me udhëheqësin e Agjencisë për Barazi Gjinore në kryeministri, do të vizitojnë departamentin përkatës në Policinë e Kosovës.
“Duke mos e ditur rastin konkretisht, ne jemi të njoftuar aq me sa mund të lexojmë. Me atë çfarë kemi lexuar, shohim që kemi një gjuhë që vjen nga një mendësi e papranueshme. Unë sot në orën 15:00, menjëherë pas kësaj konference për media, do të vizitojë departamentin përkatës në Policinë e Kosovës që merret me luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në veçanti, ku do të jem së bashku me ministren e Drejtësisë, ministrin e Punëve të Brendshme dhe me udhëheqësin e Agjencisë për Barazi Gjinore në kryeministri”, ka shtuar ai.
Kurti ka thënë tutje se gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë viktima të normave diskriminuese.
“Gjuha e një vendimi të tillë gjyqësor është e papranueshme dhe unë jam i tronditur me atë lloj gjuhe që është përdorur”, ka shtuar ai.