Lajme

Dokumenti i nënshkruar nga Kurti dhe shefi i BE-së: Kosova quhet “territor” dhe vendit i referohet me fusnotë

12/03/2021 17:17
nga:M K

Në dokumentin e Marrëveshjes së Mirëkuptimit të arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, më saktësisht në titull, Kosova shënohet me fusnotë dhe quhet si “territor”.

Një marrëveshje e këtillë u arrit përgjatë ditës së djeshme lidhur me vazhdimin një-vjeçar të shfrytëzimit të ndërtesës , në të cilën janë të vendosura zyrat e BE-së.

Në pjesën sqaruese të fusnotës së titullit në dokument, thuhet se referimi është bërë “pa paragjykime, në përputhje me statusin dhe në një linjë me Rezolutën 1244 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Megjithatë, në paragrafin e dytë dokumenti përmend termin “Republikë e Kosovës” dhe “territor i Kosovës” njëkohësisht, kur flitet për pëlqimin e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e kontratës së shfrytëzimit të objektit të BE-së edhe për një vit, shkruan lajmi.net.

Përgjatë mbrëmjes së të enjtes, ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe këshilltarja ligjore, Tea Blakaj, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë: të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, zëvendësambasadorin e Francës në Kosovë, Francois Cypien, ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog”, është njoftuar nga kryeministria.

Lajmi.net përgjatë së enjtes iu është drejtuar shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, për ta pyetur nëse pjesë e diskutimit ishte edhe çështja e Manastirit të Deçanit, por nga kjo Zyrë kanë thënë t’i referohen komunikatës së Qeverisë.