Lajme

Qeverisja në Gjilan: Flasin nga PDK, sqarojnë pozicionin

12/02/2021 13:42
nga:Y I

Lëvizja Vetëvendosje arriti të fitoi në komunën e Gjilanit, por nuk arriti të marrë shumicën në Kuvendin Komunal.

Kandidati fitues nga radhët e LVV-së, Alban Hyseni, i duhet të bashkëqeverisë edhe me subjektet e tjera për të siguruar numrin e nevojshëm të votave.

“Gazeta Blic” ka kontaktuar me Ud.e detyrës së kryetarit të PDK-së dega Gjilan, Riad Rashiti, dhe e ka pyetur rreth një ftese të mundshme nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje.

Rashiti ka deklaruar se deri tani nuk kanë marrë asnjë ftesë zyrtare, pavarësisht interesimit që të njëjtit kanë shprehur në media.

“Deri sot nuk kemi pasur ftesë zyrtare, kanë shprehur interesim edhe publikisht nëpër media gjatë javëve të fundit. Komunikime të drejtpërdrejta nuk kemi pasur pos njerëzve që kanë shprehur gatishmërinë por deri tani nuk ka asnjë ftesë zyrtare apo ndonjë negocim deri tani”, tha ai.

I pyetur se nëse e marrin një ftesë të tillë a do ta shqyrtojnë mundësinë për bashkëqeverisje, Rashiti tha: “Sigurisht që ne do ta shqyrtojmë mundësinë, pastaj e shohim nëse mund të gjejmë gjuhë të përbashkët sa i përket bashkëqeverisjes. Nëse e shohim se ka çështje që nuk mundet me na bashku ne vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”.

“Gazeta Blic” dje ka kontaktuar edhe kryetarin e LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, parti e cila është fituese me numrin më të madh të ulësve në Kuvendin Komunal.

Edhe Haziri ka konfirmuar se deri tani nuk kanë marrë asnjë ftesë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Jo nuk kemi ftesë, ne i kemi fituar zgjedhjet në Kuvend Komunal” tha shkurt Haziri për “Gazeta Blic”.

“Gazeta Blic” ka provuar disa herë të kontaktojë gjatë dy ditëve të fundit me kandidatin fitues të LVV-së në këtë komunë, Alban Hysenin, për ta pyetur në lidhje me koalicionet, i njëjti ka thënë se është në takim pune dhe nuk ka kthyer përgjigje as në mesazhet me shkrim.

Lidhja Demokratike e Kosovës arriti të marrë numrin më të madh të ulësve në Kuvendin Komunal në Gjilan duke siguruar 14 të tilla.

Pas LDK-së, u rendit partia fituese e zgjedhjeve LVV-ja me 10 të tilla, në vendin e tretë PDK-ja me 5 ulëse dhe në vendin e katërt AAK-ja me 2 ulëse.

Ndërsa partitë e tjera garuese arritën të marrin vetëm nga një ulëse.

Në raundin e dytë të balotazhit në Gjilan, Alban Hyseni i LVV-së doli fitues me 51,03% të votave duke lënë pas LDK-në me 48,97 % të votave.

Ndarja e vendeve në Kuvendin Komunal të Gjilanit:

Sfida e madhe në Gjilan! – Kush me kë do të bëjë koalicion për të nisur mandati i kryetarit të ri?!

Dialogu Kosovë-Serbi, një nga detyrat e Emisarit Special të Britanisë së Madhe