Sot në Deçan janë ndezur qirinj në shenjë proteste dhe solidarizimi me familjet që humbën mbrëmë familjarët e tyre, në rastin tragjik që ka ndodhur mbrëmë në Gllogjan, e ku një person sulmoi me armë zjarri autobusin që po barte nxënës nga Gjakova në Deçan.
Në mesin e personave që kan ndezur qirinj ishte ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, deputetja Time Kadrijaj e të tjerë.
Nesër, e diel, do të varrosen dy nxënësit e vrarë. Ndërkaq, sulmuesi nuk është identifikuar ende.
Mbrëmë rreth orës 19:00, një person me kallashnikov, ka sulmuar një autobus që po barte nxënës nga Gjakova në Deçan.
Nga ky sulm kanë mbetur të vdekur tre persona dhe një i plagosur.
I vdekur në vendin e ngjarjes ka mbetur shoferi i autobusit që po i transportonte nxënësit.
Ndërkaq, ishin plagosur tre nxënës. Dy prej tyre, një vajzë dhe një djalë, nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra dhe vdiqën në Spitalin e Pejës.