Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetaj ka dalë në një konferencë për media, ku ka shpalosur detaje rreth hetimeve që po bëhen për vrasjen e tre personave në Gllogjan të Deçanit.
Mehmetaj ka bërë të ditur se po hetohen tre pista që lidhen me rastin, dhe se ka mundësi që ka pasur më shumë të implikuar, se sa një person.
“Janë dy ose tri pista të ndryshme të mundshme. Të gjitha informacionet që jemi duke mbledhur dhe duke i marrë çojnë në këtë drejtim. Po bisedojmë për një person, por me mundësi të ndërlidhjes me persona të tjerë. Nënkupton që mund të ketë më shumë persona të dyshuar. Po ekzaminohen prova teknike të ndryshme, prej nga ka ardhë, ku ka shku dhe potencialisht ku ka qëndru (i dyshuari)”, ka thënë ai.
Mehmetaj ka përjashtuar mundësinë që kjo ngjarje të ketë qenë akt terrorist, sipas provave që i kanë deri më tani.
“Deri në këto momente, nuk kemi asnjë provë, që rasti lidhet me akt terrorist, apo me motive religjioze”, tha ai.


