Kryetarja e Luginës së Preshevës, Ardita Sinani ka reaguar menjëherë pas refuzimit të shtetit serb ndaj vizitës së katër ministrave të Kosovës.
Sinani thotë se ky refuzim dëshmon që Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogur Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Përderisa po bënim përgatitjet e fundit organizative për mirëpritjen e vizitës së Ministrave të Republikës së Kosovës: – z.Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; – znj.Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;- z.Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve – z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Morëm njoftimin se kjo vizitë u refuzua nga autoritetet e Republikës së Serbisë, edhe pse kërkesa nga ana e tyre ishte bërë në përputhje me marrëveshjen në Bruksel. Ky refuzim dëshmon se Lugina e Preshevës është pjesë e kontestit Kosovë-Serbi dhe se duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Ajo tutje ka thënë se Beogradi po pengon çfarëdo komunikimi të shqiptarëve të Luginës me qeverinë e Kosovës.
“Përveç se Serbia nuk ia lejon shqiptarëve përdorimin zyrtar të simboleve kombëtare dhe një varg të drejtash tjera që i gëzojnë pakicat kudo në botë, sot Beogradi po shpërfaq se i pengon çfarëdo komunikimi dhe ndihme nga Qeveria e Kosovës. Shpreh falenderimin tim të përzemër për ministrat Aliu, Nagavci, Murati e Çeku që zgjodhën Festën e Flamurit për të qenë pranë Luginës së Preshevës. Rasti i sotëm duhet të jetë këmbanë për autoritetet më të larta ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ndaj çështjes së Luginës së Preshevës”, ka shkruar ajo.


