Lajme

Shala: FSK-ja të mos të futet në aventura politike duke dëmtuar gjithë procesin e saj të rrugës drejtë NATO-së

11/18/2021 14:28
nga:Gazeta Blic

Eksperti i sigurisë në vend Drizan Shala, ka reaguar rreth notës diplomatike të SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës, të përcjellur përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Bazuar në kërkesën e SHBA-së, të cilët kanë deklaruar se makineria ushtarake e dhuruar për FSK-në, nuk mund të përdoret nga forcat tjera të sigurisë, Shala ka ngritur dyshime nëse ka pasur tentativa që këto mjete t’i shpërndahen strukturave tjera të sigurisë në vend.

“A është kjo notë një tregues që Qeveria ka tentuar që keto mjete ti shpërndajë strukturave tjera të sigurisë se Kosovës? Pra kjo “Note” a ka lidhje me zhvillimet që janë bërë si aksionet në veri të vendit etj ?”, ka shkruar ai në një reagim publik në Facebook.

Shala, po ashtu ka kërkuar që të veprohet me kujdes në procet e sigurisë se brendshme të Kosovës, në mënyrë që sipas tij “FSK-ja të mos të futet në avantura politike duke demtuar gjithë procesin e saj të rrugës drejt NATO-së.”

Ndryshe, nota diplomatike fillimisht u referohet diskutimeve të mëhershme ndërmjet Qeverisë së SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës në lidhje me ndihmën që ofrohet në bazë të grantit. Ajo derivon nga Akti i Ndihmës për të Huajt të vitit 1961 dhe Aktit për Kontrollin e Eksportit të Armëve. / Gazeta Blic /