Lajme

“Serbia po shpenzon shumë në ushtri, kjo është shqetësuese për Kosovën”

11/23/2021 16:58
nga:Gazeta Blic

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për gazetën kroate “Veçerenji List”, ka theksuar se së fundmi Serbia i ka rritur shumë shpenzimet ushtarake dhe se ky militarizim i Serbisë është shumë shqetësuese për Republikën e Kosovës.

Në pyetjen se pse Kurti kishte thënë se, Aleksandar Vuçiq, dëshiron të provokojë një konflikt ndërkombëtar, Kurti tha se “Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku”.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet territorial, me shumë probleme. Por Kosova nuk është problem, Kosova ka problem dhe problem i Kosovës është edhe Serbia. Në Serbi nuk ka pluralizëm. E keni një parti. Ajo parti është edhe shteti. Dhe ai shtet është kishë. Edhe ajo kishë është parti. Nuk ka pluralizëm atje, ata po aktrojnë demokracinë me zgjedhjet”, thekson Kurti për gazetën kroate.

“Së fundmi Serbia i ka rritur shumë shpenzimet ushtarake. Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë aq sa Serbia e vetme. Ajo nuk e bën këtë për shkak të Hungarisë dhe Rumanisë dhe ky militarizim i Serbisë është shumë shqetësues për ne, përshtypja ime është se Serbia i ngjan gjithnjë e më shumë Gjermanisë mes dy luftërave botërore pas përfundimit të Republikës së Vajmarit. Në dekadën e parë të këtij shekulli, në Serbi kishim një version serb të Republikës së Vajmarit, e cila filloi me vrasjen e ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, përfundoi me ish-presidentin Boris Tadiq dhe që atëherë kemi një periudhë ku Serbia i ngjan Gjermanisë ndërmjet dy luftërave botërore, por pas përfundimit të Republikës së Vajmarit, me ç’rast militarizimi është stimuli kryesor shtetëror dhe institucional”. përfundon Kurti përgjgijen e tij.