Lajme

“Dyshohet se autobusi i aksidentuar në Bullgari ka qenë duke kontrabanduar materie të rrezikshme”

11/23/2021 16:05
nga:Q R

Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit, thotë se ka dyshime që shkaktar i aksidentit në Bullgari ka qenë kontrabandimi i materieve të rrezikshme, shkruan Gazeta Blic.

Ahmeti në një prononcim për ‘Gazeta Blic’, deklaron se sipas disa burimeve të tij jo zyrtare, ndezja e automjetit ka ardhur nga ana e përparme, e që siç thotë ai, na lë të kuptojmë se ka pasur materi të rrezikshme brenda.

“Ne po dyshojmë që automjeti ka mundur me pas materie të rrezikshme, pra ka mundur me pas një lloj kontrabandimi të materies së rrezikshme. Si rezultat i ndonjë pengese materiet e rrezikshme si është benzina dhe nafta prej presionit të madh ndezën kur eksplodon ky lloj, atëherë flaka nuk hynë në vendin ku janë pasagjerët por oksidohet ambienti, kur oksidohet ambienti ai ambient kthehet në gjendje vakum ku pasagjerët futen në gjum pra humbin vetëdijen, në momentin që dikush prej tyre tenton me i thy xhamat atëherë kur hyn oksigjeni brenda ndezët zjarri. Sipas disa burimeve jo zyrtare ndezja e autobusit ka ardhur nga ana e përparme që lë të kuptohet se ka pasur materie të rrezikshme”, thotë ai.

Nga ana tjetër, pronari i kompanisë turistike “Besa trans” është deklaruar për aksidentin tragjik në Bullgari, me ç’rast ka ngushëlluar të gjithë familjarët e viktimave.Në fjalën e tij ai ka thënë se nuk e di se çfarë mund ta ketë shkaktuar këtë tragjedi me 45 viktima dhe thekson se ai gjendet në vendin e ngjarjes që në orën 3 të mëngjesit.

“Nuk e di se si ka ndodhur rasti. Që nga ora 3 e mëngjesit jam në vend të ngjarjes për të marr informacione nga institucionet bullgare, por deri më tani ende nuk dihen shkaqet”, tha ai për TV 21.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit ku një autobus i kompanisë “Besa trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari.

Në aksident jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë.

Aksidenti në Bullgari, eksperti kosovar i komunikacionit tregon shkaktarin e mundshëm