Lajme

Dyshimet për dallavere në tenderin 50 mijë eurosh, ky është biznesmeni i arrestuar

11/22/2021 18:41
nga:Gazeta Blic

Sipërmarrësi Jasmir Morina është arrestuar të hënën nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës nën dyshimet për dallavere në tenderin për renovimin e Spitalit Regjional të Gjilanit.

Afaristi i arrestuar i cili me prejardhje është nga Kamenica dhe jeton në Prishtinë, dyshohet se fitoi tenderin në vlerë prej rreth 47 mijë eurove, është pronar i kompanisë private “Tribune Sh.P.K”, ka zbuluar mediumi online Paparaci.

Duke prezantuar një dokument të rrejshëm, kompania “Tribune” Sh.p.k., me seli në Prishtinë, u shpall fituese e tenderit më 22 shtator, 2021, bazuar në të dhënat e publikuara në platformën e-prokurimi.

Si shkoi procedura tenderuese për kontratën e vlefshme rreth 55 mijë euro?

Spitali i Përgjithshëm në Gjilan në E-Prokurim njoftoi se ka shpallur tender më 2 shtator të këtij viti për renovimin dhe meremetimin e objekteve spitalore në këtë spital si dhe rregullimin e nxemjes qendrore sipas lloteve te ndara.

Për këtë tender, Spitali i Gjilanit kishte ndarë 68 mijë euro nga buxheti i saj.

Në mesin e kompanive që aplikuan për ta marrë këtë tender ishte edhe “Tribune Sh.p.K” e Jasmir Morinës, i cili fillimisht u shpall fitues por më pas, vendimi u anulua nën dyshimin për falsifikim dokumentesh, njoftoi sot Prokuroria Themelore në Gjilan.

Pas dyshimeve për dallavere të Morinës, tani fitues është kompania “ART PROJEKT” nga Komuna e Vitisë e cila pas përzgjedhjes është shpërblyer me kontratën e lartcekur me çmim prej 55 mijë euro.

Afaristi Morina – 48 orë në mbajtje

Sot Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndaluar të dyshuarin Jasmir Morina, në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Siç bën të ditur Prokuroria, ai dyshohet se si pronar i kompanisë “Tribune’ SH.P.K.”, Prishtinë, përmes prezantimit të dokumentacionit të rremë, ka arritur që të shpallet fitues në një tender për renovim dhe meremetim të objekteve spitalore, në Spitalin Regjional në Gjilan.

“Me këto veprime, i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale dhe ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kompania “Tribune Sh.P.K” kishte fituar tenderë edhe kohë më parë

Kjo kompani, nëpërmjet postimeve në llogarinë e saj në Facebook, kishte njoftuar se edhe më 15 shkurt të vitit 2019, ka fituar tenderë të ndryshëm.

Në këtë periudhë, ku ministrinë e Shëndetësisë e udhëheqte Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës, ndërmarrja e Jasmir Morinës, ka rinovuar edhe objektin e repartit të QKUK-së.

Mes tjerash, kompania e afaristit Morina, ka bërë punime edhe në disa nga shkollat e Komunës së Prishtinës dhe asaj të Podujevës.

Krimet Ekonomike japin detaje për arrestimin e biznesmenit nga Prishtina