Prokuroria Themelore në Gjilan pak më parë njoftoi se kanë ndaluar të dyshuarin J.M., në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të tjera nga ky rast.
I dyshuari, pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, përmes prezantimit të dokumentacionit të rremë, ka arritur që të shpallet fitues në një tender për renovim dhe meremetim të objekteve spitalore, në Spitalin Regjional në Gjilan.
Tenderi i fituar kundërligjshëm kap shumën prej 47 mijë eurove.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan në bashkërendim me autoritetet kompetente, gjatë hetimeve të zhvilluara nga fillimi i muajit Tetor 2021, në lidhje me një tender (në Spitalin e përgjithshëm në Gjilan), ka arritur të siguroj prova se operatori ekonomik (SH.P.K.Prishtinë), në mënyrë të kundërligjshme dyshohet se shpallet fitues në shumën prej mbi (dyzet e shtatë mijë euro) 47.000 €, duke manipuluar me dokumentacionin ofertues.
Gjatë kontrollimit të dokumentacionit ofertues të kompanisë (SH.P.K. Prishtinë), është parë se Kompania në fjalë, kishte aplikuar në ketë tender me dokumentacion me përmbajtje të rreme, dhe e njëjta kompani kishte përfunduar si Operatori Ekonomik fitues.
Bazuar në të gjeturat gjatë hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari me iniciale (J.M.) pronar i kompanisë (SH.P.K. Prishtinë) dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik””, njofton Policia.