Vetëm 13 gra kanë qenë pjesë e garës në dy raundet e zgjedhjeve lokale që u mbajtën në 38 komunat e Kosovës.
E prej 13 kandidateve, vetëm dy prej tyre arritën të fitojnë garën e të bëhen kryetare, por që të dyja vijnë nga komunat me shumicë serbe.
Komuna e Ranillugës dhe ajo e Graçanicës do të udhëhiqen për 4 vitet e ardhshme nga Katarina Ristiq-Iliq dhe Liljana Subariq, ndërsa 36 komuna të tjera do të mbesin nën udhëheqjen e burrave.
Lajmi.net ka kontaktuar me Koordinatoren për Marrëdhënie me Publikun nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Gresë Sermaxhaj, e cila ka folur për kërkesat ndaj subjekteve politike që të respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore gjatë zgjedhjeve.
“Para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga subjektet politike që të zbatojnë Ligjin për Barazi Gjinore, mirëpo fatkeqësisht as kësaj radhe ky ligj nuk u zbatua. Për më tepër, gratë u përballën edhe me barriera të tjera, siç janë; mungesa e financave për të bërë fushatë dhe për të arritur te votuesit, mungesa e hapësirës së barabartë brenda për brenda organeve të partisë, si dhe më pak paraqitje në media, krahasuar me burrat bashkëpartiakë”, ka thënë Sermaxhaj.
Tutje, ajo ka thënë se një ndër barrierat kryesore të grave për pjesëmarrje në politikë dhe procese vendimmarrëse, janë sterotipet gjinore që sygjerojnë se gratë nuk janë mjaftueshëm të denja për të qenë në pozita udhëheqëse.
Kjo është bërë e qartë edhe në “Analizën Gjinore të RrGK-së”.
“Gratë u privuan në rend të parë nga pjesëmarrja e barabartë e tyre në zgjedhje, gjë e cila pashmangshëm na solli në situatën e sotme- kur përsëri kemi nënpërfaqësim të grave në politikën e nivelit lokal”, ka thënë Sermaxhaj.
Megjithatë, ashtu si për zgjedhjet nacionale, edhe në zgjedhjet e fundit lokale, RrGK-ja ka organizuar fushatën “Voto për më shumë gra në zgjedhje lokale”, me ç’rast rreth 80 vullnetarë mbuluan afër 24 komuna të Kosovës ku diskutuan bashkë me qytetarët lidhur me rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të grave në politikë.
Kujtojmë se subjektet politike si Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë pasur nga tri kandidate gra për kryetare komunash.
PDK-ja ka hyrë në garë me Floretë Zejnullahun në Komunën e Podujevës, Leonora Morina-Bunjaku në Gjilan dhe Ardiana Qorraj në Deçan.
LDK-ja në zgjedhjet lokale ka garuar me Sibel Halimin në Komunën e Ferizajt, Anduena Gllareva në Drenas dhe Hyri Dobrunaj në Deçan.
Lëvizja Vetëvendosje në anën tjetër ka garuar në zgjedhje lokale me dy kandidate gra.
Mimoza Kusari-Lila në Gjakovë dhe Kaltrina Salihu në Dragash synuan fitoren, por asnjëra nuk arritën të merrnin votat e mjaftueshme për të fituar.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur vetëm një kandidate grua për kryetare të Komunës së Drenasit.
Ajo ishte Arta Ahmeti-Xhylani e cila poashtu nuk arrit të merrte votat e mjaftueshme për tu bërë kryetare e komunës.
Kandidate të tjera gra në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë kanë qenë edhe Drena Podrimçaku nga Partia Balliste në Komunën e Pejës dhe kandidatja e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit, Sladjana Pantoviq.
Kujtojmë se mosrespektimi i Ligjit për Barazi Gjinore nga subjektet politike të vendit është kritikuar edhe më herët, por se në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, kanë vazhduar të dominojnë emrat e burrave në listat e kandidatëve për pozita të ndryshme dhe të pjesëmarrjes në politikë.


